Vaksina Pfizer është më pak efektive ndaj variantit Delta. Kjo tregohet nga të dhënat e lëshuara nga Ministria izraelite e Shëndetësisë, në një analizë të infeksionit në një vend ku vaksinimi masiv ndodhi ekskluzivisht me atë lloj imunizimi.
Të dhënat, ndërsa konfirmojnë se vaksina mbron nga rastet serioze dhe shtrimi në spital, tregojnë se efektiviteti në parandalimin e rasteve simptomatike ka rënë me rreth 30%, nga 94.3% (majin e kaluar) në 64% në qershor. Ndërsa, sa i përket mbrojtjes nga simptomat e rënda, niveli i efikasitetit është ende mbi 90%.
Megjithatë, në muajin maj, zyrtarët izraelitë publikuan një raport në të cilin thuhej se dy doza të vaksinës së Pfizer sigurojnë 95% mbrojtje kundër infektimit, shtrimit në spital dhe simptomave të rënda të sëmundjes.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i kompanisë Pfizer nuk ka pranuar që të komentojë të dhënat e fundit të paraqitura nga Izraeli, por ai u bëri jehonë të dhënave nga kërkime të tjera, që tregojnë se antitrupat e nxitura nga vaksina e Pfizer janë në gjendje të neutralizojnë të gjitha variantet e koronavirusit, përfshirë variantin Delta, megjithëse me një fuqi më të ulët.
Nga 9.3 milion banorë që ka Shteti I Izraelit, rreth 60% e popullsisë ka marrë të paktën një dozë të vaksinës Pfizer dhe sipas ekspertëve të shëndetësisë, me rritjen e nivelit të vaksinimit, Izraeli nuk ka më gjasa të rikthehet sërish në një situatë kritike.
Të njëjtët indekse nga Ministria e Shëndetësisë rikonfirmojnë vlefshmërinë e vaksinës në luftimin e rasteve të rënda dhe shtrimin në spital.
Sakaq, një studim nga Shëndeti Publik Angli zbuloi këtë muaj se vaksinat Pfizer-BioNTech dhe Oxford-AstraZeneca ishin secila shumë efektive, me 96% dhe 92%.
Mirëpo, gjetjet paraprake të një studimi skocez të botuar në The Lancet muajin e kaluar zbuluan se vaksina Pfizer siguroi 79% mbrojtje ndaj të gjitha infeksioneve nga varianti Delta, krahasuar me 92% ndaj variantit Alpha.
I njëjti studim, i cili analizoi të dhënat nga 5.4 milion njerëz në Skoci zbuloi se vaksina AstraZeneca ofronte 60% mbrojtje ndaj infeksionit me variantin Delta krahasuar me 73% për variantin Alpha.
Sidoqoftë, kjo mund të ndryshojë nëse virusi mutohet më tej. Kjo është arsyeja pse mjekët dhe zyrtarët e shëndetit publik duan që më shumë njerëz të vaksinohen. “Sa më shumë që lejojmë virusin të përhapet, aq më shumë mundësi ka që virusi të ndryshojë”, këshilloi Organizata Botërore e Shëndetësisë muajin e kaluar.
/b.h