“Gjaku lahet me gjak”. Ky është mesazhi i gjetur mes luleve të lëna në parkimin e një qendre tregtare në La Favorita, në Mantova të Italisë, aty ku natën mes të enjtes dhe së premtes së shkuar u vra brutalisht 23-vjeçari shqiptar Atilio Ndreca, ndërsa 35-vjeçari italian Pierfrancesco Ferrari përfundoi në koma.
Të dy u sulmuan brutalisht me shkopinj bejsbolli e shufra hekuri. Ata u tërhoqën në një cep ku nuk kishte kamera, rreth orës 3 të natës, duke bërë që autorët e këtij sulmi brutal të enden të lirë.
Fotoja më lart u përcoll në një artikull nga e përditshmja italiane La Repubblica, e cila shkruan se mesazhi që aludon për një hakmarrje të mundshme ndaj grupit që fshihet pas këtij krimi, i është dorëzuar karabinierëve që së bashku me prokurorinë po hetojnë ngjarjes.
Në vendngjarje autoritetet mësohet se gjetën veshje të mbuluara nga gjaku, që nuk i përkasin të rinjve, dhe që janë çuar për ekzaminim. Nga këto rroba hetuesit shpresojnë që të mund të bien në gjurmët e autorëve.
“Para se të gjenden nga ndonjë që do dojë të aplikojë rregullat e nderit të Kanunit, kanuni shqiptar që aplikohet ndonjëherë nga fiset”, shkruan e përditshmja italiane.
Sa i përket motiveve që çoi në këtë sulm barbar që i kushtoi jetën të riut shqiptar, media italiane shkruan se hetuesit janë ngurues për ta përcaktuar sulmin si një larje të mundshme hesapesh për shpërndarjen e drogës./m.j