Prokuroria e Tiranës ka apeluar vendimin e gjykatës për nxjerrjen nga qelia të Jehon Breçanit, 19-vjeçarit që më datë 11 qershor aksidentoi dhe i preu këmbën me makinë Xhesina Gegës në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë.
Gazetari Ermal Vija bën me dije për abcnews.al se prokuroria ka kërkuar tashmë ndryshimin e masës së sigurisë për Breçanin nga “arrest shtëpie” në “arrest me burg”.
Breçani kishte dalë nga spitali në shtëpi dhe sipas gazetares Xhensila Kodra, gjithçka ndodhi pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë, e cila arsyetoi se ai mund të qendrontë në shtëpi pavarësisht aksidentit të rëndë.
Tashmë i mbetet gjykatë së Apelit për të vendosur përfundimisht nëse Jehon Breçani, djali i ish-zv.drejtorit të Policisë së Shtetit, Erzen Breçani, do të rrijë në shtëpi apo do të rikthehet në qeli.
Çfarë ndodhi?
Jehon Breçani ishte duke drejtuar Mercedesin luksoz me shpejtësi në rrugën “Xhanfize Keko” pasditen e 11 qershorit në Tiranë ku për arsye që policia ende nuk i ka zbardhur, ai humb kontrollit e automjetit dhe përplas Xhesina Gegën, teksa ishte duke qendruar në trotuar. Vajza humbet këmbën nga përplasja e fortë dhe dërgohet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Për Breçanin fillimisht u dha masa e sigurisë “arrest me burg”, por më pas ajo u ndryshua në “arrest shtëpie” dhe i riu iku menjëherë në shtëpi pasi u shërua nga dëmtimet e marra prej aksidentit.
Ngjarja shkaktoi mjaft reagim publik pasi arroganca dhe pakujdesia e të rinjve të pasur me makine luksoze në rrugët e Shqipërisë është duke rrezikuar çdo ditë jetën e qytetarëve.
Rasti më i fundit, vetëm pak ditë pas ngjarjes në fjalë, një tjetër i ri, i quajtur Igli Madani vrau katër familjarë në një aksident në aksin Fier-Vlorë.
/a.r