Spanja dhe Çekia kanë hapur dyert edhe për qytetarët shqiptarë. Të gjithë ata që kanë menduar të kalojnë pushimet jashtë vendit, tashmë edhe Spanja e Çekia janë futur në listën e vendeve të Bashkimit Europian që kanë zbutur masat për vendin tonë.
Aeroporti Nënë Tereza njofton se qytetarët që duan të kalojnë në kufirin spanjoll nuk është e nevojshme që të jenë të pajisur me testin anti-COVID apo të jenë vaksinuar.
TIA bën me dije se udhëtarët që kanë vizituar 14 ditët e fundit shtete të tjera dhe duan të kalojnë në Spanjë duhet të jenë të pajisur me test PCR të 48 orëve të fundit, test serologjik apo të ketë marrë një nga dozat e vaksinës të miratuara nga EMA apo OBSH.
Njoftimi i plotë i Aeroportit Nënë Tereza:
Spanja
Hiqen të gjitha kufizimet për qytetarët shqiptarë që duan të udhëtojnë në Spanjë.
As testi, as vaksinat nuk janë të detyrueshme. Mjafton bileta, pasaporta dhe maska.
Ju lutem vetëm të plotësoni Formularin e Kontrollit Shëndetësor (FCS), të cilin mund ta gjeni në link-un e mëposhtëm:
https://www.spth.gob.es/create (individ)
https://www.spth.gob.es/create-group (grup/familje)
Nëse 14 ditët e fundit keni vizituar vende të tjera përpara udhëtimit në Spanjë, ju duhet patjeter PCR i 48 orëve të fundit, vaksinat e miratuara nga EMA apo OBSH, apo vërtetim i autoriteteve shëndetësore që e keni kaluar COVID-19.
Ju faleminderit për bashkëpunimin,
Tirana International Airport
Sipas njoftimeve të TIA-s deri më tani, përveç Spanjës, shqiptarët mund të udhëtojnë pa kufizime edhe në Zvicër, Austri, Holandë dhe Belgjikë.
Ndërsa për udhëtime drejt Danimarkës, Francës, Greqisë, Gjermanisë, Spanjës dhe Turqisë mbeten në fuqi disa masa, si testi apo vaksinimi.
Ata që duan të udhëtojnë drejt Danimarkës duhet të kenë me vetë një PCR të 72 orëve të fundit, test antigen ose certifikatën e vaksinës që tregon se janë të vaksinuar me një nga vaksinat e aprovuar nga EMA. Vaksinat e miratuara nga EMA për hyrjen në Danimarkë, janë Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson.
Drejt Francës mund të udhëtojnë edhe të pavaksinuarit, mjafton që të kenë një PCR të 72 orëve të fundit ose test antigen. Po ashtu në Francë mund të hyjnë edhe shtetasit që janë vaksinuar me Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson. Vaksinat e tjera, ende nuk njihen.
Shteti tjetër që ka lehtësuar kufizimet për shqiptarët është Greqia, drejt së cilës mund të udhëtohet me një test COVID-19 ose dëshmi që personi e ka kaluar virusin, si dhe me certifikatën e vaksinimit me vaksinat Pfizer, Moderna, AstraZeneca, Sinovac dhe Johnson & Johnson.
Të njëjtat masa duhet të respektohet edhe për udhëtimet drejt Gjermanisë. Prej 20 qershorit udhëtimet drejt Gjermanisë bëhen duke pasur një test COVID-19 ose dëshmi që personi e ka kaluar virusin, si dhe me certifikatën e vaksinimit me vaksinat Pfizer, Moderna, AstraZeneca, Sinovac dhe Johnson & Johnson.
Për ata që duan të udhëtojnë drejt Turqisë, nuk kërkohet testi PCR në rast se je i vaksinuar ose ke kaluar virusin në 6 muajit e fundit. Ndërsa për pjesën tjetër duhet kryer testi PCR maksimumi 72 orë përpara nisjes, ose testi i shpejtë antigjen 48 orë përpara fluturimit./m.j