Që prej orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme në malin e Tomorrit persona të paidentifikuar i kanë vënë zjarrin kurorës me pisha. Terreni i vështirë ka bërë që zjarri të marrë përmasa të mëdha, duke djegur një sipërfaqe të madhe të malit të Tomorrit.
Deri me tani nuk ka shkuar asnjë nga forcat zjarrfikëse në zonë dhe kjo si pasojë e terrenit të vështirë dhe zonës shkëmbore, që e bën të pamundur hyrjen e mjeteve në zonë.
Zona ku ka rënë zjarri është shpallur Park Kombetar dhe zonë e mbrojtur, prandaj është kërkuar ndihmë nga ajri me helikopter. Nëse nuk ndërhyhet sa më shpejt rrezikohet që të gjitha pishat në kurorën e gjelbër të malit të Tomorrit të shkrumbohen.
Zjarri ka rënë në zonën e sipërme të fshatit Lybeshë dhe ende nuk dihet sesi ka marre flakë kjo zonë shkëmbore.
/b.h