Nga Kemal Derviş
Viti 2015 ishte i vështirë, i përbërë nga parashikime të rënies së zhvillimit, sulme të tmerrshme terroriste, valë masive refugjatësh dhe sfida serioze politike, me populizmin në rritje në disa shtete. Në Lindjen e Mesme, në veçanti, kaosi dhe dhuna kanë vazhduar të rriten, me pasoja shkatërrimtare. Kjo përfaqëson një kthesë zhgënjyese nga bota padyshim me të meta, por me më shumë shpresa e vetëm disa dekadave më parë.
Në autobiografinë e tij “Bota e së Djeshmes”, Stefan Cvajg përshkroi një ndryshim drastik të ngjashëm. Lindur në vitin 1881 në Vienë, Cvajg e kaloi rininë e tij në një mjedis optimist, civil dhe tolerant. Më pas, duke filluar nga 1914, ai dëshmoi rënien e Europës në Luftën e Parë Botërore, pasuar nga spazmat revolucionare, Depresioni i Madh, ngrija e Stalizimit dhe së fundmi barbarizmi i nazizmit dhe shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore. I shkatërruar, Cvajg kreu vetëvrasje ndërsa ishte në mërgim në vitin 1942.
Dikush imagjinon se Cvajg do të ishte rikuperuar nga krijimi post-Luftës së Dytë Botërore i Kombeve të Bashkuara dhe sistemit Bretton-Ëoods, pa përmendur dekadat pasuese të rindërtimit dhe rregullimit. Ai mund të kishte dëshmuar bashkëpunimin dhe progresin e shënjuar nga periudha post luftë. Ndoshta, atëherë, ai mund ta kishte parë periudhën nga 1914 deri në 1945 si një rrugë të tërthortë të tmerrshme por të kufizuar të botës drejt paqes dhe begatisë.
Sigurisht, gjysma e dytë e shekullit të njëzet ishte larg të qenët ideale. Deri në vitin 1990, paqja sigurohej kryesisht nga kërcënimi i përbashkët i shkatërrimit bërthamor. Konfliktet vendase, si në Kore, Vietnam, pjesë të Afrikës dhe Lindje të mesme, patën pasojat e tyre. Dhe ndërsa rreth 100 vende në zhvillim morën pavarësinë, procesi nuk qe njëlloj paqësor.
Në të njëjtën kohë, megjithatë, ekonomia botëtore u rrit më shpejt se kurrë. Një klasë e mesme e fuqishme u shfaq në vendet e përparuara dhe më pas filloi të shfaqej kudo. Demokracitë perëndimore dhe Japonia ndërtuan ekonomi në të cilat rritja produktive çoi në begati të përbashkët; qeveritë u angazhuan në rregullim dhe rishpërndarje, ndërsa kompanitë private nxitën zhvillimin duke implementuar metoda teknologjike të përparuara të prodhimit.
Si në nivel rajonal dhe global, progres vendimtar u bë në mbledhjen e përfitimeve nga tregtia dhe ekonomia. Projekti i integrimit europian paralajmëronte një lloj të ri bashkëpunimi, që mund të shtrihej në rajone të tjera dhe madje të ndikonte në bashkëpunimin global.
Brezi i viteve 1960 ndihej shumë si Cvajg në rininë e tij. Ne besonim se, ndonëse progresi nuk do të ishte linear, mund të mbështeteshim në të. Ne prisnim një botë gjithnjë e më paqësore dhe më tolerante, në të cilën përparimet teknologjike, bashkë me tregjet e qeverisura mirë do të gjeneronin begati të madhe. Në vitin 1989, kur Bashkimi Sovjetik po binte dhe Kina po ndryshonte në një ekonomi të bazuar te tregu, Francis Fukuyama lajmëroi “fundin e historisë”.
Gjatë dy dekadave të fundit, megjithatë, shpresat tona – politike, sociale dhe ekonomike – janë thyer shpesh. Pati një kohë kur politikëbërësit amerikanë po pyesnin veten nëse Rusia duhej t’i bashkohej NATO-s. Ajo mundësi është e vështirë të merret në konsideratë sot, pas ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë dhe aneksimit të Krimesë.
Shumë ekonomi në zhvillim arritën përparim të shpejtë brenda viteve – ose dekadave – duke i dhënë mundësinë miliarda njerëzve të shpëtonin nga varfëria dhe të pakësonin hendekun e pasurisë mes vendeve në zhvillim dhe atyre të zhvilluara. Por kjo rritje së fundmi është ngadalësuar ndjeshëm, duke ngritur shumë pyetje nëse ekonomistët folën shumë shpejt kur i nënvijëzuam ata motorët e rinj të zhvillimit ekonomik global.
Po ashtu, Pranvera Arabe në vitin 2011 supozohej të sillte një të ardhme të re më demokratike për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore. Ndërsa Tunizia ka shmangur katastrofën, shumica e vendeve të tjera të prekura kanë përfunduar në kaos, me luftën civile brutale të Sirisë që lehtësoi ngrijten e Shtetit Islamik.
Euro, ndërkohë vuajti krizat e veta. Valuta e përbashkët, dikur e portretizuar si fillimi i Europës thuajse-federale, krijoi tensione serioze mes vendeve “kreditore” dhe “debitore” kur shumë debitorë u përballën me një rënie ekonomike të zgjatur. Teksa Europa dukej se më në fund po ia mbathte nga kriza e euros, refugjatët, veçanërisht nga Siria, filluan të vërshonin. Kjo ka vënë në rrezik zonën Shengen të udhëtimit pa viza dhe disa mund të pyesin nëse BE-ja do t’i rezistojë presionit.
Në SHBA, kriza e refugjatëve sirianë e ka detyruar Kongresin të nxitojë të kufizojë hyrjen pa viza për turistët e 38 vendeve. Kjo vjen në një kohë kur pabarazia e të ardhurave dhe pasurisë po arrin qiellin në SHBA – paga mesatare për burrat nuk është rritur në dekada – duke i lënë shumë në mëdyshje nëse fëmijët e tyre do të mund të ruajnë standardin e jetesës që ata shijuan. Në krye të kësaj, për herë të parë në dekada, rritja e tregtisë ndërkombëtare nuk e tejkalon rritjen e prodhimit global.
Një nxitës thelbësor i shumë prej këtyre problemeve mund të jetë shpejtësia e paprecedent e ndryshimit – nxitur prej globalizimit dhe inovacionit teknologjik – që ka prodhuar një shkëputje shumë të shpejtë dhe shumë të madhe për t’u menaxhuar.
Potenciali i progresit njerëzor ende duke i madh. Teknolojia ofron shpresën e shpëtimit t ëjetës përmes trajtimeve mjekësore, produktivitet më të madh ekonomik dhe sisteme energjetike më të qëndrueshme. Por njerëzit kanë frikë, siç tregohet në kthimin e politikave të identitetit dhe mungesa e gjithpërfshirjes ekonomike dhe politike. Si rezultat, rritja e produktivitetit po ngadalësohet dhe kështu kapitali duket i lirë dhe investimet mbeten të ngadalta.
Çelësi i menaxhimit të shkëputjeve dhe largimit të frikës së njerëzve është qeverisja. Cvajg e pa botën të shkatërrohej një shekull më parë, jo sepse dija njerëzore ndaloi përparimin, por për shkak të dështimeve të përhapura të qeverisjes dhe politikës. Teksa hyjmë në vitin 2016, duhet të fokusohemi mbi qeverisjen e përshtatshme, në dimensionin ekonomik dhe politik të shekullit 21, në mënyrë që burimet tona dhe dija të prodhojë progres të gjithanshëm dhe jo konflikt të dhunshëm.
Marrë nga Project Syndicate