Pas një viti, kthimi në emisionin “Historia Ime” në Tv Klan i zonjës së dhunuar për mëse 30 vjet nga ish-bashkëshorti, nuk ka sjellë asnjë ndryshim në jetën e saj. Tashmë jeton me qira me fëmijët kur në fakt duhet të jetonte në banesën sociale të Bashkisë, por atje jeton dhunuesi.
Vajza e saj punon dhe sjell sadopak të ardhura në familje, ndërsa djali pavarësisht përpjekjeve për të gjetur një punë nuk ka mundur, institucionet shtetërore nuk e përfillin aspak rastin e saj dhe nuk i japin asnjë zgjidhje.
Vetë ajo thotë se “jam dhunuar nga ligji, jo vetëm nga ish-bashkëshorti”. Çdo herë që ka trokitur në dyert e institucioneve është hasur me neglizhencë dhe mospërfillje, madje i kanë thënë edhe se nuk duhet të ketë frikë se bashkëshorti nuk e vret.
Një rast më i fundit që ajo tregon lidhet pikërisht me një përpjekje të saj për të dalë nga gjendja që e ka pllakosur. Duke qenë se nuk mundet të punojë për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, një ditë vendosi të shkonte të merrej me tokën e banesës sociale për të siguruar diçka.
Mirela Milori: Shkove të punoje tokën në shtëpinë që gjykata ju a ka vënë të dyve për të jetuar?
Zonja X: Po.
Mirela Milori: More veglat e punës për të punuar tokën dhe ish-bashkëshorti erdhi?
Zonja X: Doli nga banesa, më tha fjalët më të pista, rrëmbeu një dru që të më godiste.
Mirela Milori: Donte të të godiste me dru?
Zonja X: Po, arrita të ikja me vrap. Erdhi edhe policia, në sy të policit më thoshte “do të të vras, do të të pres”, fjalët më banale sa dhe polici më shtyu e më tha “ik, mos rri këtu”. Kur shkoj në gjykatë, gjykata më thotë “ti e provokon”.
Mirela Milori: A është banesë e përbashkët?
Ana Pertena (avokate): Po, është me vendim gjykate.
Mirela Milori: Po atëherë pse e provokon, ti mund të hysh kur të duash në shtëpi, apo jo?
Zonja X: “Ti e provokon”. “Zoti gjyqtar, si e provokoj unë?” “Ti je provokuese”. “Çfarë thua?”, thashë. “Çfarë është ligji?” “Do më vrasë”, i thashë. “Po jo moj, s’ka vrarë njeri”, tha.
Aba Zeneli (psikologe): Minimizimi i traumave fizike dhe psikologjike që pësojnë njerëzit edhe nga instancat e tjera është një gjë e pashpjegueshme në vendin tonë.
Ana Pertena (avokate): Ky është identifikimi i shumë rasteve të pambrojtura edhe nga policia, edhe nga gjykata që ne i hasim çdo ditë. Është fatkeqësi e madhe, por që ky është realiteti. Në shumicën e rasteve, edhe urdhrat e mbrojtjes pavarësisht se lëshohen, në rastin konkret nuk janë lëshuar si duhet, nuk është se zonja nuk ka urdhra mbrojtjeje të mëparshëm, do të thotë që nuk kanë efikasitet.
/a.r