Një hetim i nisur pesë vite më parë nga ish-Krimet e Rënda për trafik narkotikësh, u mbyll me arrestime në kryeqytet, bazuar në letër-porositë e drejtësisë zvicerane, kryesisht të prokurorisë Valais, Zvicër. Shteti në fjalë, kishte vendosur nën procedim gjatë vitit 2015, shqiptarin Florian Moko, një 37-vjeçar i martuar me një grua që jeton në Bolzano. Dosja që Gazetasi.al disponon thotë:
“Në fund të prillit 2015, nga hetimet e mbështetura në përgjimet telefonike, ka rezultuar se shtetasi Florian Moko do të siguronte një ngarkesë të madhe kokaine, me mbështetjen e një shtetasi shqiptar të quajtur “Tony”, i cili sapo kishte mbërritur në Zvicër. Në datën 05.05.2015, ora 19:06, gjatë operacionit të zhvilluar nga autoritetet zvicerane, u konsatatuan të fshehura në një makinë të regjistruar dhe në drejtimin e shtetasit gjerman, Michaël Schmiedel, i biri i Holfram Schmiedel dhe i Anette Kittlas, i datëlindjes 28.11.1983, lindur në Eerdau/Gjermani, rreth 3 kg kokainë të paketuara në tre pako prej një kg, te cilat rezultuan prej ekzaminimive laboratorike me pastërti rreth 20%.
Së bashku me shtetasin gjerman, Michael Schmiedel, ndalua dhe shtetasi shqiptar, Elton Meta, të cilët po dilnin së bashku nga një bar kafe dhe po shkonin për të marrë sasinë e lëndës narkotike kokainë në automjetin e shtetasit gjerman.
Në vijim të operacionit, u ndalua shtetasi Ilia Shella, personi i cili do të merrte lëndën narkotike nga shtetasi Elton Meta dhe do ta ruante në banesën e tij, për t’ia dorëzuar në vijim shtetasit Florian Moko, personi përgjegjës për shpërndarjen e lëndës narkotike kokainë në shtetin e Zvicrës.
Në vijim, gjatë kontrollit të kryer në banesën e shtetasit Florian Moko në Monthey/Zvicër, u gjetën 0.1 kg kokainë me një pastërti prej rreth 43% dhe një shumë prej 15.000 frangash të fshehura në një divan.
Për këtë operacion, bëhet me dije se në pranga, në rajonin e Montey, ranë disa shtetas të përfshirë në dërgesën e kokainës dhe konkretisht:
“Personi i quajtur “Tony”, i cili rezultoi shtetasi shqiptar Elton Meta dhe shtetasi shqiptar Ilia Shella”, – citon prokurori në urdhrat e ndalimit, duke sjellë edhe veçim të çështjeve në disa dosje.
Nga ana tjetër, Zvicra informon Shqipërinë për rolin e gjermanit Michael Schmiedel deklaroi të rrëfehet.
“Kam njohur disa shtetas të huaj në mes të vitit 2014, në një diskotekë në Chemnitz/Gjermani. Ata i propozuan të fitojë 1.000 euro nga transporti midis Gjermanisë dhe Zvicrës dhe ai pranoi. Ata i dhanë një telefon celular të markës ‘Blackberry’. Dy muaj më vonë, në korrik apo gusht të vitit 2014, Michael Schmiedel mori një sms, në të cilën kishte udhëzime për të mbështetur një shtetas të huaj në Berlin/Gjermani dhe ta çonte me makinë në Frankfurt/Gjermani. Kur mbërriti në atë qytet, Michael Schmiedel la makinën e tij tek një i panjohur dhe pas disa orësh e mori dhe u kthye në Gjermani.
Ky shtetas deklaron se në këtë mënyrë ka vepruar edhe në gjashtë raste të tjera.
Ndërsa shtetasi shqiptar, Elton Meta, sipas prokurorisë mban qëndrim mohues, duke këmbëngulur se nuk ka marrë pjesë në trafik kokaine. “Trafikun e kokainës e organizon një farë personi i quajtur Gimi ose Çimi“, thotë i akuzuari.
“Gimin e njoh prej pesëmbëdhjete vitesh. Është një njohje e tij nga Tirana, ku banoj. Gimi është pseudonimi i tij. Emri i tij është Shkelqim Haka. Gimi është 40 vjeç. Ai është i martuar dhe babai i tre fëmijëve. Në dijeninë e tij, ai nuk ka ndonjë aktivitet fitimprurës. Ka dy numra shqiptarë të Gimit, të cilët janë të regjistruar në aparatin e tij celular të markës ‘Samsung’ me shkrimin ‘Gimi’”, thotë i akuzuari.
“Më është premtuar 3.500 euro nga “Gimi” për të marrë lëndën narkotike kokainë në Zvicër dhe për t’ia dorëzuar shtetasit Ilir Shella, i cili do t’ia jepte shtetasit Florian Moko, përgjegjës për ta shpërndarë në Zvicër. U takova me shtetasin gjerman, Michael Schmiedel në një kafe dhe në momentin që po bëheshin gati për të marrë lëndën narkotike në automjetin e shtetasit gjerman, na ndaluan punonjësit e policisë”, këmbëngul trafikanti.
Nga veprimet e kryera në Shqipëri, Prokuroria e Tiranës bindet që ai ka pasur kontakte me personin me shkurtimin ‘Gimi’ dhe se Ilia Shella, ka shkuar në Zvicër nga Shqipëria në datën 11.04.2015 me kërkesë të ‘Qimi’-t ose ‘Gimi’, me të cilin ka bashkëpunuar në Greqi. Ilia Shella ka shkuar në Zvicër dhe ka qëndruar tek shtetasi Florian Moko dhe hetimet tregojnë se ata kane qenë në dijeni të dërgesës së kokainës.
Nga materialet e përcjella nga autoritet zvicerane në këtë aktivitet, janë të përfshirë shtetasit Edmond Merja dhe Ndriçim Harka.
Personi i identifikuar si Ndriçim Harka, bëhet me dije se është i punësuar në Bashkinë e Tiranës, (zjarrëfikës) kurse Edmond Merja, ka dalë nga Shqipëria prej vitit 2018 përmes Kapshticës, prokuroria vijon më tej:
“Është kryer verifikim i numrave të telefonit në fjalë në sistemet elektronike të policisë së shtetit (sistemi DEEPSEE) dhe ka rezultuar se numri i telefonit 355694111***, është deklaruar si numër kontakti i shtetasit Ndriçim Riza Harka, gjatë aplikimit për letërnjoftim, i cili i është lëshuar në datën 25.02.2021 me numër 036982542. Në vijim, është bërë këqyrja e të dhënave të numrave celularë në aplikacionin ueb “truecaller” dhe pasi janë vendosur emrat në indeksin e kërkimit, kanë rezultuar të dhënat si me poshtë, se rezultojnë të Çimit”, – shkruan prokurori që lëshoi urdhër-ndalimet.
Si përfundim, mbështetur në sa parashtruam më sipër, ekzistojnë dyshime të forta të mbështetura në prova, se Ndriçim Riza Harka, është personi i etiketuar prej hetimeve të kryera nga autoritetet zvicerane si “Gimi” ose “Çimi”, dhe është përgjegjës për organizimin e trafikut të lëndës narkotike të llojit kokainë nga Shqipëria dhe nga vendet e tjera për në Zvicër.
Ky shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, duke vepruar në mënyrë të fshehtë, ka ngritur një skemë të mirëfilltë dhe mirë funksionuese në formën e degëve të një peme të trafikut të lëndëve narkotike, droga të forta të llojit kokainë dhe heroinë, duke përdorur dhe paguar persona të tjerë, si shtetas shqiptarë, ashtu edhe shtetas të huaj, ndërkohë që vetë si persona organizatorë të këtij trafiku, qëndronin në hije duke i shpëtuar kështu goditjeve nga organet ligj zbatuese.
Ndërkohë dyshohet se edhe shtetasi Edmond Merja, si lidhje familjare (kunati) e shtetasit Ndriçim Harka, të jetë i përfshirë në aktivitetin e kundërligjshëm të trafikimit të narkotikëve dhe për këtë arsye ndaj tyre, është firmosur urdhër-ndalimi nga prokuroria.(SI)