Ish-ambasadorja e Kosovës, në SHBA, Vlora Çitaku ka komentuar deklaratën e zëdhënësit të qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu, i cili një ditë më parë u shpreh se marrrëveshja që u bë në Washington më 4 shtator mes Kosovës dhe Serbisë është e paligjshme.
Çitaku në një postim në Facebook, u shpreh se marrëveshja e firmosur nuk është një lojë dhe se duhet respektuar. Ajo gjithashtu është shprehur se marrëveshjen e 4 shtatorit e respekton edhe administrata Biden, edhe pse ajo u firmos nga një administratë tjetër në fuqi.
Postimi i plotë:
Për të satën herë: Marrëveshja e Washingtonit, apo zotimet e Washingtonit, apo si të doni quani, nuk janë hajgare e lojë fëmijësh. Me aleatët, e posaçërisht me SHBA-të, një qeveri serioze nuk komunikon përmes deklaratave dhe postimeve në rrjetet sociale.
Qeveria e Kosovës nëse ka ndonjë dilemë apo pakënaqësi, atë duhet ta adresojë përmes kanaleve diplomatike. Para pak ditësh ishte në Kosovë i deleguari i Departmentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor. Jam e bindur se në takimet të cilat janë zhvilluar ka pasur mundësi që të trajtohen këto shqetësime.
Pastaj, se Administrata e Presidentit Biden qëndron fuqishëm pas marrëveshjes së 4 Shtatorit e ka bërë të ditur publikisht Sekretari i Shtetit Blinken. Me shumë dashamirësi, Vlora./m.j