Fiks 14 ditë pas provimit të parë, gjuhës së huaj, afro 34 mijë maturantët kanë pasur në dorë rezultatin.
Ishte ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ajo që zgjodhi të bënte publik lajmin bashkë me linkun e rezultateve, përbri të cilit shkruan se është e kënaqur me rezultatet e para.
“Jam optimiste për rezultatet e maturantëve tanë në provimin e parë të Maturës Shtetërore, gjuhë e huaj, ku një pjesë e mirë kanë shkëlqyer me rezultatet e tyre maksimale. Urimet më të mira të gjithëve!”.
Por shifrat thonë të kundërtën.
Provimi i parë, veçanërisht ai i gjuhës së huaj, që historikisht maturantët kanë marrë rezultatet më të larta krahasuar me dy provimet e tjera me detyrim, nuk doli aq premtues. Vetëm 36 dhjeta absolute, ose pesë fish më pak se viti i shkuar.
Ndërsa numri i mbetësve thuajse është dyfishuar. Nga 1232 maturantë që u vlerësuan me notën 4.00 në provimin e gjuhës së huaj në Maturën 2020, sivjet numri i atyre që shkojnë për vjeshtë është 2199 maturantë. Deri në fundin e muajit maturantët do të kenë marrë rezultatet për të katër provimet e kryera, siç e kërkon rregullorja, dy javë pas zhvillimit të tij.
Konkretisht, në datën 21, QSHA pritet të nxjerrë notat e gjuhës shqipe e letërsisë dhe katër ditë më vonë ato të matematikës, provimit të kontestuar nga shumica dërrmuese e maturantëve.
Ndryshe nga të tjerat, ku maturantët e dinë pak a shumë rezultatin, bazuar në skemën e vlerësimit të publikuar në faqen e Ministrisë, në matematikë jo. Pas tri ditësh protesta, Ministria e Arsimit vendosi të ulë pragun e pikëve për çdo notë, por pa një skemë koncize mbi mënyrën se si do ta realizojë.
Pikërisht për këtë temë, nr. 1 i arsimit, Evis Kushi, zhvilloi një takim me mësues, prindër dhe maturantë.
“Një bashkëbisedim i frytshëm me mësues, maturantë dhe prindër, për të diskutuar mbi disa nga problemet e evidentuara gjatë provimeve të maturës, të cilat do të na shërbejnë më pas për një analizë të thellë për rishikimin e plotë të Maturës Shtetërore në të gjitha aktet rregullatore dhe administrimin e plotë të saj”, shprehet ministrja.
Pas dy maturash të shoqëruara me protesta në masë, Matura Shtetërore do të reformohet në detaje. Kushi ka nisur që tani punën për të marrë opinione, ide dhe vlerësime për të përmirësuar procesin.