Nga Ylli Pata
Tashmë është e qartë se lobimi për të mbrojtur figurën e Sali Berishës në SHBA, është bërë nga Federata Vatra me qendër në New York.
Kjo organizatë ka publikuar sot një deklaratë të gjatë , ku kundërshton fort vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen Non Grata të ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit Sali Berisha.
Deklarata e Vatra-s erdhi një muaj pas shpalljes nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ku pati edhe një seancë pyetjesh ne kongres, nga republikani Lee Zeldin.
Por pas kësaj séance nuk pati më zhvillim tjetër në SHBA, e sot Vatra ka lëshuar një deklaratë të prerë, ku bën thirrje se ata do të kërkojnë llogari tek përfaqësuesit që ata kanë votuar nëpërmjet lobimit.
“Antarët e Federatës Pan-Shqiptare Vatra, kudo që jetojnë në të gjitha anët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do t’u kërkojnë përfaqësuesve të popullit amerikan, për të cilët ata kanë votuar, që të ngrenë këtë problem me të drejtën e tyre që kanë për t’i kërkuar shpjegime administratës së z. Biden të argumentojnë me fakte vërtetësinë e akuzave që kanë sjellë një masë të tillë kaq ekstreme. Në të kundërt ata duhet të lirojnë Dr. Berishën nga barra e një përgjegjësie morale e cila nuk i përket vetëm atij dhe nuk i nderon as ata që e kanë aplikuar atë, nëse nuk kanë fakte”, shkruhet në deklaratën e publikuar në faqen e gazetës së shoqatës “Dielli”.
Në reagimet që kanë pasuar publikimin e kësaj deklarate, ka vetëm një përkrahje të qartë pro këtij pozicionimi dhe tre qëndrime të tjera që janë skeptike por madje edhe të kundërta.
Pro ka qenë vetëm ish-deputeti socialist që jeton në Kanada, Taulant Dedja, që i ka përshendetur, ndërkohë të tjerët kanë qenë skeptik. Madje një qytetar shqiptar që jeton në SHBA e konsideron deklaratën e Vatrës si shumë të gabuar.
“Mos harroni që në kohen kur e gjithë Europa i vendosi embargo Serbisë,ishte qeveria e Sali Berishës ajo që i shiti naftë. Për faj të tij Shqipëria u fut në luftë civile dhe mos harro që ishte nën qeverinë e tij që u vendos që t’i jepej deti Greqisë. Kjo që bëri qeveria amerikane është pak në krahasim me atë që duhej bërë. Sipas mendimit tim Nuk më duket e drejtë që të bëni postime për politikanë të Shqipërisë ose Kosovës në mbështetje të tyre, sidomos për ata që i dime me siguri që janë të korruptuar pasi jemi rritur vetë në Shqipëri dhe për faj të tyre e lamë atë vend”, shkruan një shqiptar me banim në SHBA.
Ndërkohë një qytetar tjetër dyshon se kjo deklaratë që thuhet se është miratuar nga Bordi i Shoqatës te ketë miratimin e kryetarit të saj Elmi Berisha, meqë nuk ka as firmë e as vulë.
Një vit më parë, Vatra ka publikuar një njoftim, ku përfaqësues të Vatra-s kanë takuar kongresmenin republikan në Kongres, Lee Zeldin, të cilit i kanë bërë të ditur mbështetjen e organizatës në votimet e nëntorit.
Në këtë takim kanë marrë pjesë, përveç disa njerëzve të mërgatës shqiptare, edhe ish-ministri i Brendshëm i PD-së në qeverinë “Rama”, Dritan Demiraj, si dhe ish-këshilltari i Berishës dhe ish-Konsulli shqiptar në New York gjatë qeverisë “Berisha”, Dritan Mishta.