Duke nisur që nga ora 10:00, në Gjykatën Kushtetuese ka nisur seanca e tretë, për shqyrtimin e çështjes së Teatrit Kombëtar, e cilësuar si antikushtetuese nga Presidenti Ilir Meta.
Këshilltari ligjor i Presidencës, Bledar Dervishaj, ka rrëfyer përpara togave të zeza, të gjitha parregullsitë që sipas tij, qeveria, por edhe institucioni i Bashkisë, kanë bërë në lidhje me këtë çështje.
“Çështja ka nisur që në 2018 mars, që përkon dhe me daljen jashtë funskionimit të Kushtetueses. Në atë kohë u hodh ideja e një ligji special, të një zone në qendër të Tiranës. Shumë shpejt, në 26 qershor 2019, ligji special për ndërtimin e Teatrit Kombëtar dhe zonës aty pranë. Presidenti e vlerësoi me seriozitet, jo vetëm ligjim special, por edhe qëndrimet publike të shoqërisë civile, ekspertëve dhe aktorëve pro dhe kundër, si dhe ktheu me dekret ligjin.
Kuvendi duhet të merrte kohën e duhur deri në funksionalizimin e Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi mori dekretin e Presidentit dhe e vendosi parimin e tij. Titulli i ligjit ndryshoi, përmbajtja e procedura dhe e çoi te Presidenti si një ligj të ri.
Rezultoi se Kuvendi, nuk kishte rivlerësuar konstatimet e Presidentit. Përpjekja e vetme ishte të hiqte emrin e kompanisë propozuese dhe atë të zëvendësonte me paragrafë që çonin po te e njëjta kompani”, është shprehur Dervishaj.
Më tej, Dervishaj ka shtuar se Këshilli Bashkiak, nuk duhej të vendoste pro prishjes së Teatrit, të paktën, derisa të shprehej Gjykata Kushtetueese.
“Me datë 9 maj, Presidenti bëri dy thirrje të ndërpritej çdo veprim ndaj Godinës së Teatrit. Më 12 maj, Rama deklaroi me forcë se godina do prishej. Ende Këshilli Bashkiak, nuk kishte marrë vendim. Më 14 maj, Meta depozitoi në këtë gjykatë kërkesën e dytë dhe e bëri thirrje të mos vendosej dorë mbi godinat e teatrit, derisa të shprehej Kushtetuesja. Po atë ditë, Këshilli Bashkiak kishte vendosur shkatërrimin e godinës së Teatrit Kombëtar. Thirrjet nuk u dëgjuan. Por nuk u dëgjua as ajo e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Nuk mundet Bashkia apo institucionet të kryejnë procedura administrative për ndërtimin e Teatrit të ri, derisa të përfundojë ky gjykim kushtetues”, shtoi më tej Dervishaj.
g.kosovari