Procesin zgjedhor të zhvilluar të dielën në PD, demokrati Edvin Kulluri e shikon si një tentativë për t’u mbrojtur nga disa zhvillime të rëndësishme, që ai paralajmëron se do të ndodhin së shpejti.
I ftuar në studion e “7 pa 5” në “Vizion Plus”, me gazetarin Thimi Samarxhiu, Kulluri tha se zgjedhjet brenda PD-së ishin më keq sesa zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
“Basha zgjedhjet në parti i ka bërë shumë më keq se Rama zgjedhjet e përgjithshme. Po marrim një pretendim të opozitës, që është administrata e angazhuar në fushatë. E njëjta gjë në PD, u bë presion i hapur në qendra votimi për të votuar Lulzim Bashën. Kur ti bën një proces zgjedhor më keq se mazhoranca, i vetmi qëllim kryesor është të shkatërrosh plotësisht imazhin e Partisë Demokratike. Opozita ka dënuar veten të humbë zgjedhjet e tjera. Do të shkojmë keq e më keq. Nëse Basha mendon se do të përdorë partinë për t’u mbrojtur, ky është gabim i rëndë. Ata që mendojnë se kanë kusure për të paguar, për çështje korrupsioni e çështje të tjera, mundohen të mbajnë peng PD-në si mburojë ndaj zhvillimeve që do të ndodhin. Procesin zgjedhor dje nuk e ka kryer Berisha, e ka kryer Lulzim Basha.”
Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së komentoi edhe deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha, që ka lënë të hapura mundësitë për t’u rikthyer në drejtimin e PD-së.
“E pakuptimtë, jashtë kontekstit, do të ishte e pamundur, nuk do t’i sillte asgjë të mirë partisë. Dorëheqja e Ruçit ishte mesazh për të gjithë të tjerët.”
Si anëtar i Grupimit për PD, Edvin Kulluri tha përballë gazetarit Thimi Samarxhiu se përpjekjet për ringritjen e Partisë Demokratike do të vazhdojnë pareshtur.
/a.r