Kreu i Komisionit të Zgjedhjeve në Partinë Demokratike ka bërë për mediat një përditësim rreth pjesëmarrjes në votime për kreun e partisë.
Jemin Gjana bëri të ditur se deri më tani kanë votuar 12,928 anëtarë ose 17.2 për qind e anëtarëve. Ai bëri të ditur se procesi ka vijuar normalisht dhe se nuk ka pasur vonesa apo ndërprerje.
Ndërsa, i pyetur nga gazetarët për akuzat e bërë më herët nga kandidati Agron Shehaj, Gjana tha se nuk ka pasur asnjë rast përjashtimi të vëzhguesve të këtij kandidati.
Ajo që ka ndodhur sipas Gjanës, është se personat në fjalë nuk kanë përmbushur kriteret e nevojshme për ta ushtruar atë funksion, nuk është se janë përjashtuar për arsye tjetër.
“Mbrëmë deri ne 00.30 ka vazhduar procesi i marrjes së propozimeve për përfaqësuesit. Me kandidaten Harxhi deri në orën 12 kemi mbyllur të gjitha emrat. Ajo ka lënë disa vende bosh, nuk ka përfaqësim dhe ka pasur dakordësim. Në 7-8 raste kemi pasur probleme të përfaqësuesve të kandidatit Shehaj. Sepse erdhën disa propozime që u rrëzuan nga Komisioni. Ose nuk kanë pasur kartë anëtarësie, ose nuk kanë qenë në listën e anëtarëve, ose janë deleguar nga një degë në një degë tjetër…”
Janë në total 75 mijë anëtarët e PD, që pritet t’i drejtohen 76 qendrave të votimit të ngritura në të gjithë vendin, përmes të cilave ata do të ushtrojnë të drejtën e votës për të zgjedhur kryetarin.
Sipas udhëzimit, ata duhet të zgjedhin vetëm 1 prej kandidatëve, pasi vota e tyre do të jetë nul nëse votojnë për më shumë se një prej katër emrave në garë. Në fletën e votimit, Fatbardh Kadilli është i renditur i pari, e pas tij Edith Harxhi, Agron Shehaj e Lulzim Basha.
/b.h