Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, ka zgjedhur Facebookun për të dhënë një lajm tepër të rëndësishëm në lidhje me procesin gjyqësor në Arbitrazh mes OSHEE-së dhe kompanisë DIA.
Edhe pse mund të shfrytëzonte shumë mirë foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, për të folur pikërisht nga aty ku edhe është sulmuar shumë gjatë seancave plenare të këtij viti, përmes Facebookut, Gjiknuri shprehet se vendimi i marrë nga Arbitrazhi i Vjenës i jep fund procesit gjyqësor, ku OSHEE ishte paditur nga shoqëria “DIA”, e cila kërkonte 135 mln euro dëmshpërblim.
Duke e konsideruar si një triumf të drejtësisë, ai shprehet se ky vendim konfirmon gjithashtu edhe faktin se qeveria shqiptare dhe OSHEE kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për të mbrojtur deri në fund interesat e qytetarëve shqiptarë, pasi në këtë mënyrë Shqipëria i shpëtoi rrezikut për t’i humbur këto parà. Një pjesë të meritës për këtë vendim, apo zgjidhje të dhënë nga Arbitrazhi i Vjenës, ministri Gjiknuri ia faturon edhe zgjidhjes me mirëkuptim të konfliktit me CEZ-in, veprim pa të cilin pala shqiptare nuk do të mund të siguronte provat për ta mbyllur në favorin e saj gjyqin me “DIA”-n.
Në fund, Gjiknuri shprehet me nota triumfi edhe ndaj atyre që e kanë akuzuar shpesh nga Kuvendi apo përmes konferencave për shtyp, të cilët ai i quan spekulantë. “Kjo fitore është padyshim përgjigja më e mirë edhe për ata spekulantë, që duke shpërdoruar të drejtën e të bërit opozitë, nxitën dhe shpresuan që ky proces arbitrazhi të humbej nga pala shqiptare, në favor të Kastriot Ismailajt. Në fillim na përqeshën. Më pas na akuzuan se dëshironim humbjen e gjyqit për të ndarë paratë. Sot, minimalisht ata duhet të heshtin me turp. E vërteta fiton gjithmonë”.
/ Top Channel