Sali Berisha mohoi edhe njëherë sot që fëmijët e tij apo bashkëshortja të kenë përfituar qoftë edhe një qindarkë në mënyrë të paligjshme.
Ndërsa komentoi vendimin e DASH për shpalljen non-grata të tij dhe familjes Berisha, ish-kryeministri tha se në qoftë se ka një provë, le t’i marrin 100 herë të pandehur, Argita e Shkëlzen Berishën, apo bashkëshorten e tij Liri Berisha.
Sipas Berishës, djali i tij është qelibar i pastër dhe ka zbatuar ligjin, nuk ka fituar kurrë një qindarkë të vetme.
“Kam të vërtetën me vete. Fëmijët t’i marrin 100 herë të pandehur. Edhe Lirinë. Në qoftë se për Argitën ka një provë, që nesër. U kam thënë shqiptarëve që për çdo veprim të fëmijëve të mi unë mbaj përgjegjësi. I kam detyruar fëmijët që dy vite para se të ndryshonte ligji të deklaronin pasuritë njësoj si i ati.
Nëse dikush thotë që djali im e ka të ndaluar veprimtarinë private, kjo është Koreja e Veriut ose Enver Hoxha. Djali im ka dalë si këshilltar ligjor, sepse ka mbaruar dy mastera. Ka aktivitet biznesi që ia ka kontrolluar Edi Rama. Të paktën 10 herë i ka ndërsyer autoritetin kundër larjes së parave. Fëmijët e mi kanë zbatuar ligjin, nuk kanë fituar kurrë një qindarkë të vetme”, tha Berisha në emisionin “Zonë e Lirë”.
/b.h