Pasi vrau ish-dhëndrin e tij, Kudret Saliaj, autori tregoi ne polici se e hodhi armën e krimit në lumin Lanë. Siç raportohet, arma është gjetur nga RENEA falë kontrolleve disa orë pas vrasjes, tek Lana në kryeqytet.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e sotme pranë Gjykatës së Tiranës. 40-vjeçari Kudret Saliaj u ekzektua nga ish-vjehrri i tij Mexhit Picari në ditën kur gjykata do të vendoste për ndarjen e çiftit dhe përcaktimin e kujdestarisë së tre fëmijëve të tyre.
Padia për zgjidhje martesë ishte bërë pikërisht nga Kudret Saliaj, ku krahas ndarjes ai kishte kërkuar edhe kujdestarinë e fëmijëve si edhe detyrimin e bashkëshortes Dhurata Saliaj për dhëniën e një kontributi financiar për ta.
Po ashtu, objekt i seancës së sotme ishte edhe përcaktimi i ditës së takimit të nënës me dy djemtë dhe vajzën e mitur.
Mësohet se ngjarja ndodhi 10 minuta para seancës gjyqësore për ndarjen e çiftit. Në momentin e ngjarjes, familja Picari, specifikisht Mexhiti dhe Dhurata kanë qenë ulur në lokal, ndërsa në një karrige tjetër disa metra më tej ishin ulur Kudret Saliaj me avokatin e tij Adriatik Cama.
Në një moment, pa shkëmbyer asnjë fjalë, Picari është ngritur nga tavolina dhe duke nxjerrë pistoletën, ndërsa ka qëlluar 8 herë në drejtim të tij. 5 nga plumbat kanë goditur Saliajn dhe 1 tjetër avokatin e tij, Adriatik Camën.
Pasi vrau Saliajn, Mexhit Picari është larguar në këmbë me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa pas tij u largua edhe Dhurata, ish-bashkëshortja e viktimës. Policia ka shkuar menjëherë për kontroll në shtëpinë e Dhuratës ku edhe ka gjetur aty autorin e vrasjes.
/b.h