Nga Mero Baze
Adriatik Llalla më ngjau dje si një njeri i marrë peng. Ai ka tre vite që ka hyrë në listën e zezë të SHBA dhe nuk ka folur, dhe ka bërë mirë. Ai është një ndëshkim që nuk të kërkon shpjegime dhe nuk ke çfarë të shpjegosh. Nuk është një proces penal apo civil, ku ftohesh të japësh fakte.
Është një vlerësim i pavarur për një zyrtar të lartë apo figurë politike, për të cilin SHBA ka standartet e veta që përpiqet t’ua imponojë dhe vendeve të tjera.
Por fakti që Adriatik Llalla u shfaq dje tek televizioni i djalit të Sali Berishës, për t’u mbrojtur përmes argumentash banalë, të krijonte idenë e një pengu të familjes Berisha, në përpjekje për ta banalizuar ndëshkimin si histori korruptimi shqiptare.
Së pari, vendi ku shfaqet për t’u mbrojtur është një skenë krimi. Kur SHBA thotë se familja Berisha, përfshi Shkëlzen Berishën, kanë përfituar para ta paligjshme për shkak të pushtetit, nuk ka parasysh paratë që kanë deklaruar, por ato që nuk kanë deklaruar.
Dhe ato që nuk kanë deklaruar janë mes të tjerash në atë ekran televizioni për të cilin nuk ka asnjë burim legal të ardhurash apo justifikim për investimin.
Së dyti, argumentat që dha kundër ndëshkimit të tij, ishin të imponuara nga familja Berisha, pasi ngjanin si një përpjekje për të bërë “bindëse” hakmarrjen e diplomatëve amerikanë në Tiranë ndaj Berishës.
Në një farë mënyre, Llalla u përpoq të paraqitej një viktimë, që sipas tij, ishte bërë pasi nuk ka pranuar të arrestohet Sali Berisha dhe Ilir Meta, siç i kishin rekomanduar atij SHBA dhe BE përmes diplomatëve.
Në fakt, hetimi dhe pastaj gjykimi i Sali Berishës dhe Ilir Metës, është detyrë e Prokurorisë shqiptare dhe personalisht e Adriatik Llallës.
Nuk jam i sigurtë nëse ja kanë sugjeruar apo jo diplomatët amerikanë apo europianë këtë gjë, por një njeri që lavdërohet me mos kryerjen e detyrës, dhe e ndjen veten viktimë e përpjekjes për të ndëshkuar Berishën e Metën, tregon se tani nuk po flet për të mbrojtur veten, por për të mbështetur arsyet e Berishës, pse ai dhe familja e tij janë tani në listën e zezë.
Së fundmi, ato detajet që ja ofronte fjalëfolësi i familjes Berisha, të tipit “Tillerson ishte aksioner tek Bankers”, “Donald Lu të sugjeroi mos të ndëshkosh Bankers”, “Pastaj ti nuk e dëgjove Donald Lu dhe ai të futi në listë”, pastaj “Trampi shkarkoi Tillerson”, dhe tundja e kokës nga Adriatik Llalla për t’i miratuar të gjitha këto, janë arsye e mjaftueshme që atij t’i ndërrohet akuza në gyq dhe të dënohet jo për korrupsion, por për budalla.
Po të shtosh pastaj dhe faktin që SHBA e bëri këtë operacion kundër tij, duke hapur një portal anonim në emër të Alfred Pezës, për ta shkatërruar atë, akuza duhet thelluar dhe me dënimin që të mos lejohet të flasë në publik sa të jetë gjallë.
Aty ngeli të shtohej që dhe Shkëlzeni është në listë të zezë, se nuk ndau mirë lekët e fishekëve me ata amerikanët në Gërdec.
Dalja në ekranin e familjes Berisha për të mbrojtur Berishën, duke e “ilustruar” historinë me dënimin e tij të padrejtë nga SHBA, është një detaj që tregon se ai nuk doli të mbrojë veten, por Sali Berishën.
Doli për të treguar që ai dhe Sali Berisha po sakrifikohen, njëri për reformën në drejtësi, e tjetri për të futur Shqipërinë në BE.
Që Shqipëria ka nevojë për reformën në drejtësi dhe antarësimin në BE, kjo është e sigurtë. Por këta të dy nuk janë heronjtë që po sakrifikohen për këtë çështje, por disa prej pengesave në këtë rrugë.
E vetmja gjë që ja zbardh faqen Shqipërisë, është lista e zezë e SHBA. Dhe kjo, jo se ka ndëshkuar këta të dy dhe të tjerë, por se jehona e kësaj liste do të jetë i vetmi gjëmim që do të lërë pa gjumë çdo politikan në këtë vend, kur të kujtojë fundin pa lavdi të Sali Berishës dhe epitafin që i ka gdhendur SHBA mbi varr.
Përfshi këtu dhe torturën që i ka bërë dje Adriatik Llallës, duke e nxjerr ta mbrojë në këto ditë të zeza për të.
Ik more bukshkalur pse arrestimet behen me urdher apo me shkelje ligji mos mundohuni te beni propoganden e djallit jeni te lexuar te gjithe