Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, ka deklaruar se është i hapur për të ndryshuar emrin e shtetit, pas një “lufte” 24-vjeçare me Greqinë. Maqedonia ka deklaruar pavarësinë në vitin 1991, pas ndarjes nga Jugosllavia, dhe në atë kohë emri zyrtar Republika e Maqedonisë, ka shkaktuar reagime të shumta në Greqi, që thonë se shteti ballkanik ka vjedhur emrin nga një provincë e Greqisë, që shtrihet në kufi me Maqedoninë.
Tani kryeministri maqedonas, thotë se është i hapur për të dialoguar për këtë çështje me Greqinë. “Jemi të gatshëm për të diskutuar, për të hapur dialogun me ta, dhe të gjejmë një zgjidhje”, ka thënë Gruevski për “The Guardian”, transmeton koha.net.
Akuzat e Greqisë kanë bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian. “Duam që sa më shpejtë që të jetë e mundur të hapim dialogun për të gjetur një zgjidhje dhe nëse e gjejmë duhet të organizojmë një referendum”, ka thënë Gruevski. “Nëse gjejmë zgjedhje duhet t’i pyesim qytetarët: A është në rregull apo jo?”.