Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli e ka quajtur lajmin për pezullimin e liberalizimit të vizave “një lajm aspak të merituar”, sepse Kosova, sipas tij, është i vetmi vend në Evropë që është i betonuar. “Dua të pyes Bashkimin Evropian pse të mbahemi të izoluar? A jemi ne shumë të veçantë apo çfarë është puna? Nëse është çështja se ka korrupsion, atëherë le të na ndëshkojnë për korrupsion ne ose le të na ndalin vizat neve politikanëve, le t’ia nisin prej meje e krejt politikanëve tjerë, le të na marrin vizat se ne vizat i kemi. Po qytetarëve, prindërve që vdesin pa i pa fëmijët e tyre le t’ua japin vizat dhe te shkojnë t’i vizitojnë fëmijët e vet”, tha Veseli, raporton KP. “Ftoj opozitën për ruajtjen e transparencës dhe të kthehen brenda institucioneve për dialog”, tha kryeparlamentari.