SPAK i ka bërë ditën e sotme një kërkesë Policisë për arrestimin e ish-kandidatit për deputet të LSI-së në zgjedhjet e 25 prillit, Etjon Joka pasi u filmua duke blerë vota. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se Apeli i GJKKO-së, ka refuzuar kërkesën e Jokës për heqjen e masës ‘Arrest me burg’, i cili vijon të jetë në kërkim.
Ndonëse është kapur me zë dhe me figurë duke vjedhur vota, vetë Etjon Joka e ka mohuar duke thënë se është e sajuar, duke theksuar se do të ndjekë çështjen në mënyrë ligjore.
“Fundi i montazheve ka qenë i turpshëm ashtu siç do jetë dhe fundi i Rilindjes në 25 Prill. Çështjen e këtij montazhi do ta ndjek edhe në rrugë ligjore pas 25 Prillit. Deri në 25 prill përpara të bëjmë çdo gjë për fitoren e madhe”, ka shkruar më herët ai.
Si u zbulua blerja e votave?
I renditur i 22 në listat e LSI në Tiranë, kandidati Etjon Joka u shfaq në një video teksa i jepte 100 dollarë një qytetari që është angazhuar të mbledhë vota për LSI-në. Në videon e publikuar nga një emision investigativ, Joka bisedon edhe me një qytetar që i thotë se ka bërë 100 vota, duke përfshirë edhe 12 që i ka bërë gruaja e tij. Dhe akoma me skandaloz ishte fakti kur flisnin për komunitetin rom, ku thotë se: Andej nga treshi bëhet nami, ej për 5 min të marrësh 60 mijë lekë, i kap i fut në makinë. Etjon Joka, kandidat i LSI në Njësinë nr. 1 në Tiranë është reklamuar nga LSI si një prej të rinjve më premtues.
g.kosovari