Ish-ministri i Shëndetësisë në Kosovë Numan Baliç, është dënuar me dy vite burg, pasi është shpallur fajtor për veprën penale sulm seksual.
Sipas Betimit për Drejtësi, Baliçit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.
Sipas aktgjykimit të shpallur të enjten nga gjykatësi Shaqë Curri, Baliçit i është komunikuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit të mjekut në periudhë prej dy viteve.
Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur në tetor të vitit të kaluar, Baliç kishte thënë se nuk ndihet fajtor për veprën që është akuzuar nga Prokuroria Themelore e Pejës.
Sipas aktakuzës së 29 shtatorit të vitit 2020 Baliç akuzohet se më 12 gusht të atij viti me dashje, e në cilësi të profesionistit shëndetësor ka keqpërdorur gjendjen shëndetësore të viktimës A.I, dhe i ka kërkuar që ta prekë me qëllim seksual pa pëlqimin e saj, ndërkohë që viktima atë natë ka qenë duke e shoqëruar foshnjën gjashtëmuajshe, të hospitalizuar në repartin e ortopedisë.
Lajmi për vendimin ndaj Baliçit vjen pak ditë pasi mediat lokale në Kosovë kanë shpërndarë një video ku pretendohet për ngacmim seksual të një të miture nga tre fëmijë, në oborrin e shkollës “Faik Konica” në Prishtinë./ b.h