Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi se aksioni kundër ndërtimeve pa leje do të jetë i shtrirë në të gjithë vendin dhe mjaft rigoroz.
Gjatë një interviste për edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, me spikeren Pranvera Borakaj, ministri u shpreh se ky është një fenomen mjaft shqetësues, ndër vite.
Në të njëjtën linjë me kryeministrin Edi Rama, Klosi tha se lufta ndaj ndërtimeve pa leje duhet të jetë me të njëtin ritëm si ndaj krimit e korrupsionit.
“Lufta me objektet e ndëruara pa leje është i vazhdueshëm, është një fenomen që nuk po frenohet dot. Kryeministri rikthesoi edhe në takimin që patëm sot për të dakordësuar institucionet tona për të patur një proces shumë rigoroz që të mos lejohen ndërtimet pa leje, jo vetëm në zonat bregdetare, por në të gjithë zonat urbane, ku nuk mund të anashkalohet më ky problem. Nga kryeministri kërkohet të kemi një aksion shumë të shpejtë dhe të shtrirë në të gjithë vijën bregdetare që asnjë ndërtim i paligjshëm të mos lejohet të funksionojë. Duam që ky proces të mbarojë shumë shpejt, pa filluar sezoni turistik. Qysh sot, ne filluam të bëjmë planet e ndërhyrjes, që duan të godasin të gjitha ato ndërtime pa leje që janë realizuar sidomos gjatë procesit zgjedhor. Siç kërkohet me forcë lufta ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, edhe ndërtimet pa leje, sidomos ato që realizohen në zona me rëndësi të veçantë, janë problematika që nuk duhet të lejohen të ndodhin, por të goditen. Të kemi mundësinë me forcë që të godasim si vepër penale ndërtimin pa leje.”
Blendi Klosi foli edhe për sezonin turistik, duke u shprehur se pritshmëritë e qeverisë janë që të ketë një “frymëmarrje” në këtë drejtim, krahasuar me vitin 2020.
Duke nënvizuar se do të ketë lehtësira për turizmin me charter, ministri shtoi se kanë mbërritur charterat e parë nga Ukraina e Moldavia.
/a.r