Në datë 16 Maj Partia Demokratike do të mbledhë Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar, që është forumi më i lartë vendimmarrës.
ABC ka siguruar mesazhin që sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi u ka dërguar anëtarëve të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar, ku theksohet se dy organizmat e partisë do të mblidhen për “për proceset politike pas situatës së krijuar me masakrën elektorale të zgjedhjeve të 25 Prillit”.
“Të nderuar anëtarë të Kryesisë! Ditën e dielë, datë 16 Maj 2021, ora 17:00, do të zhvillohet mbledhje e Kryesisë së Partisë, me rend ditë: “Diskutime dhe vendimmarrje sipas Statutit për proceset politike pas situatës së krijuar me masakrën elektorale të zgjedhjeve të 25 Prillit”.
Më pas, në orën 19:00, me të njëjtin rend dite, do të zhvillohet mbledhja e Këshillit Kombëtar. Mbledhjet do të zhvillohet në selinë e Partisë, në sallën e Grupit Parlamentar, Kati i II. Ju lutem merrni masat për pjesëmarrjen tuaj. Me respekt, Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi”, mbyllet mesazhi.
Por cfarë po ndodh brenda PD?
Në 25 prill pasi Edi Rama fitoi mandatin e tretë në pushtet, një grup brenda së djathtës shqiptare me Bujar Nishanin, që është kreu i Këshillit Kombëtar kërkuan dorëheqjen e Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë, pasi sipas tyre në 8 vite nuk arriti që të sjellë PD-në në pushtet. Thirrja deri tani është injoruar nga lideri demokrat dhe grupi i tij i afërt, që ka theksuar se zgjedhjet për kryetarin do të zhvillohen në verë sipas statutit dhe se aktualisht objektiv është “largimi i Edi Ramës”. PD kërkon shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në 9 qarqe.
Priten debate
Dita e diel pritet që të jetë e mbushur me zhvillime nga selia blu, pasi Lulzim Basha do të ketë përballjen e parë, jo vetëm me Bujar Nishanin që është kryetari i Këshillit Kombëtar dhe që kërkon dorëheqjen e tij, por edhe me rivalin për drejtimin e partisë, Fatbardh Kadilli, i cili është anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike. Kadilli shpalli kandidaturën për të drejtuar të djathtën duke lëshuar akuza të fortë në drejtim të Lulzim Bashës, ndërsa në datë 16 maj ka mundësinë e përballjes direkte me kryedemokratin./ b.h