Demokratët e zhgënjyer që kërkojnë reformimin e Partisë Demokratike dhe largimin e kryetarit të PD-së Lulzim Basha janë paraqitur pasditen e sotme para selisë blu duke paraqitur një platformë me disa pika që sipas tyre do të ndihmojnë në reformimin e partisë dhe zgjidhjen e krizës brenda saj.
Lisander Hoxha, ish zv.Kryetar i FRPD, tha se ai nuk po proteston aty pasi është në shtëpinë e tij, por fton demokratët që të ulen në një tryeze bashkëpunimi dhe debati politik në mënyrë që partia të rikthehet sërish në një forcë morale dhe fituese dhe kjo bëhet vetëm përmes një lidershipi të ri dhe hapja e diskutimit politik brenda partisë duke ftuar edhe demokratët e tjerë dhe qytetarët. Hoxha tha se shmangia e fajeve dhe gabimeve nuk zgjidh asnjë, por se ka ardhur momenti që të gjithë të ulen në një tryezë dhe të hapet procesi i debateve brenda partisë.
“Shmangia nuk na zgjidh gjë, ka ardhur momenti të pajtohemi nga këto gabime dhe faje. Nisja e procesit të debatit politik, ky nuk është monopol i drejtuesve por duhet të përfshihen edhe qytetarët. Ftoj demokratët të flasin dhe të nis sa më parë procesi i debateve dhe diskutimet politike që i bëjnë mirë partisë. Paraqitja e platformave, ku do i sjellim këto platforma. Si i pa konsumuar në politikë i bëj thirrje Lulzim Bashës dhe demokratëve të bëjnë një tavolinë të përbashkët dhe të diskutojmë platformat qeverisëse. Ata që mendojnë ndryshe nuk janë armiq. Të flasim si të çojmë partinë të bashkuar në fitore. Falja është e rëndësishme, të kthehemi në një forcë morale dhe fituese për vendin dhe kundërshtari politik ka ndyrë duart me votat e shqiptarëve. Ne nuk mund të hyjmë në një garë dhe proces të mbyllur. Kush demokrat që mendon se mund të sjellë fitore të vijë të na bashkohet. Nëse do kemi një lidership të ri, fitorja do të jetë edhe më afër se 2025. Unë nuk po protestoj , kjo është shtëpia ime dhe jo monopol i disave. Zgjedhjet politike në Shqipëria do të denoncojnë hajdutët e votave”, tha Hoxha.
Situata brenda PD-së nuk është shumë e qetë që pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit, që pasohet nga disa humbje të tjera të kësaj force politike nën drejtimin e Lulzim Bashës. Për këtë arsye, një pjesë e tyre kanë kërkuar dorëheqjen e Bashës që e bëjnë përgjegjës kryesor për humbjen. Prej tre ditësh para selisë bluz po zhvillohen protesta nga demokratë të zhgënjyer të cilët kërkojnë largimin e Bashës dhe hapjen e partisë dhe debatit politik brenda saj
Me herët Edith Harxhi, Endira Bushati, Bujar Nishani, I bsen Elezi, Bislim Ahmetaj, Arben Imami, Arben Ristani, Edvin Kulluri, Pirro Ahmetaj dhe Endrit Hoxha përmes një deklarate janë shprehur se Lulzim Basha ka dëmtuar opozitarizmin në vend duke e lënë atë në dorën e Ramës./ b.h