Ish-këshilltari i Ilir Metës në kohën kur ai ishte kryetar Kuvendi, Ralf Gjoni, i cili ka mbajtur edhe postin e sekretarit për marrëdhëniet me jashtë në LSI, është shprehur në A2 se Mokina Kryemadhi duhet të dorëhiqet nga drejtimi i partisë.
Në zgjedhjet e 25 prillit, LSI-ja arriti të merrte vetëm 4 deputetë, duke u tkurrur ndjeshëm nga zgjedhjet e fundit. Gjoni theksoi se nëse Kryemadhi nuk largohet, atëherë kjo parti do të zhduket.
“Ilir Meta do t’i duhej më tepër tani LSI-së për ta kthyer atë parti në binarë. Për ndryshe, LSI-ja, e cila nuk ka as numrat për të formuar një grup parlamentar, nuk e di se çfarë do të bëjnë ata 4 deputetë. Do të jenë shumë të vetmuar.
Unë mendoj se LSI mund të krijojë një frymë si një forcë opozitare, progresiste, e qendrës. Monika Kryemadhi dorëhiqet. Unë mendoj se Ilir Meta rikthehet në parti si anëtarë, të hapet gara për figura të reja për të riformatuar partinë.
Luan Rama, për shembull do të ishte shumë më i aftë se Monika Kryemadhi dhe kjo nuk ka diskutim. Shumë prej nesh do të ishin shumë herë më të aftë se Monika Kryemadhi dhe për këtë mos keni dyshime.
E them me shumë dashamirësi dhe jo me dashuri, nëse Monika Kryemadhi nuk dorëhiqet, LSI mbaron. Unë gjykoj me shumë dhimbje se LSI zhduket, nuk mbijeton dot në skenën politike”, u shpreh Ralf Gjoni.
g.kosovari