Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, deklaroi këtë të martë se telefoni i saj është në përgjim pres disa javësh. Po ashtu ajo u shpreh se Operacionalja e Ministrisë së Brendshme ka vënë në përgjim prej 3-4 muajsh të gjithë kandidatët e LSI-së. Sipas Kryemadhit, në këtë çështje janë përfshirë edhe agjentë të sektorëve të tjera, madje edhe SHISH.
“Unë kam një problem shumë të madh me telefonin me thënë të drejtën prej dy javësh nuk arrij të shoh dot as story-t në Instagram për shkak të përgjimit sepse ta dinë të gjithë qytetarët kur telefoni përgjohet, konsumimi i internetit është i pamundur. Më dërgoi Etjoni një video, nuk kishte burrë nëne të shkarkohej. Të gjithë kandidatët e LSI-së jo vetëm që janë në përgjim prej 3-4 muajsh nga Operacionalja e Ministrisë së Brendshme. Të gjithë nëpunësit e Operacionales, të gjithë nëpunësit e Kriminales, të gjithë agjentët, SHISH, të gjithë janë vënë në shërbim të kësaj. Jemi shumë mirënjohës që përgjojnë hap pas hapi çdo kandidat tonin sepse ndihemi më të sigurt përballë bandave dhe grupeve kriminale”, tha Kryemadhi.
Ajo u shpreh se në zyrat e LSI-së janë gjetur përgjues ambientalë.
“Ne ju kemi gjetur edhe përgjuesit ambientalë në zyrat tona, ua kemi lënë aty. Po flasim për rastin e Durrësit, Tiranës. Ku janë në kat të dytë, ku janë në cep të katit të parë. Nuk kemi instaluar antipërgjues. Janë shumë të trashë, janë pa shkollë”.
Kryemadhi denoncoi në studion e Opinion rastin e blerjes së votave. Ajo u shpreh se në Shkozë janë shpërndarë para në emër të PS-së.
“Ka dhe një rast tjetër, po ju jap prapë informacion operacionales. Mund të shkojnë në Shkozë janë 4 banakierë që kanë shpërndarë para në emër të PS-së dhe janë edhe 7 banakierë të tjerë që po presin radhën në ditën e zgjedhjeve në këmbim të fotografisë”.
/a.r