Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha konfirmoi vijimin e protestave kundër qeverisë. Pas një takimi në selinë blu me grupin parlamentar, kreu i kësaj force tha se u vendos që të mbahen protesta të enjten më 17 dhjetor dhe më 21 dhjetor.
Siç theksoi për mediat Basha, këto nuk do të jenë të vetmet, por do të vijohet me protesta deri në largimin e qeverisë.
Ndërkohë, protesta e radhës, do të zhvillohet jashtë ambjenteve të Parlamentit, ku do të diskutohet nen për nen Buxheti i vitit 2016. Deputetët e opozitës do të kundërshtojnë me forcë brenda sallës miratimin e Buxhetit dhe paketës fiskale, ndërkohë jashtë sallës do të mbahet protesta.
“Të enjten biznesi i vogël, dentistët, profesionet e lira do penalizohen pasi kusaria do fusë duart më thellë në xhepat e tyre. Fermerëve nuk iu shtohet asnjë lekë më shumë , iu shtohet barra për të kultivuar tokën. Taksa më të larta për vitin 2016 për të gjithë. Rama dhe ministrate tij janë një bandë kusarie që mendojnë si të vjedhin më shumë. Të enjten brenda në Parlament duan të konfirmojnë me kartona atë që shumica e shqiptarëve nuk e duan, një buxhet të konfirmimit të katastrofës kombëtare. Ne do përpiqemi ta ndalojmë me çdo kusht brenda dhe jashtë Parlamentit. Të ndalim këtë katastrofë kombëtare”, tha Basha.
Ai shpalli sezonin e protestave, të cilat sipas Bashës, do vijojnë deri në largimin e qeverisë.