Krijimi i partive të reja në spektrin e djathtë është vendimi më i drejtë në këtë kohë. Kështu deklaroi ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli për “Java në RTSH” këtë të premte. Ajo shtoi se klasa politike është reduktuar në tre kryetarë: Rama, Basha dhe Meta.
“Pas tre dekadash ne e kemi të qartë se ku është Shqipëria… Qëllimi i Lëvizjes për Ndryshim është ndryshimi siç e thotë edhe vetë emri. Ndryshimi pritet vetëm nga lëvizjet e reja. Sigurisht që jemi nën sulmin e të treja palëve, por nuhatja nuk na ka lënë për të gabuar. Sepse përqindja e atyre që janë kundër Edi Rama, Ilir Metës dhe Lulzim Bashës po rritet më shumë dita-ditës. Ne synojmë votën e të pakënaqurve nga Rama, nuk i besojnë Lulzim Bashës dhe nuk pranojnë Ilir Metën” – tha Topalli.
Në panelin me analistët Preç Zogaj e Lorenc Vangjeli ajo hodhi akuza të rënda ndaj kreut të Partisë Demokratike. Jozefina Topalli deklaroi se marrëveshja e 17 majit mes Ramës dhe Bashës u pasua me dëmshpërblimin e këtij të fundit me 13 milionë euro.
“Nëse ka një marëveshje dhe një hipotekë mes Edi Ramës dhe dikujt tjetër, ai ëstë Lulzim Basha. Kjo nuk është hipoteze, por një histori e dëshmuar me një sërë ngjarjesh. Duke filluar nga tradhëtia që i bëri ‘Çadrës’ teksa deklaronte se nuk do të hynte në zgjedhje. Lulzim Basha jo vetëm hyri në zgjedhje, por hyri edhe në qeveri me Edi Ramën. Kjo ishte marrëveshja më e errët, por unë besoj se kjo aleancë ka ekzistuar edhe më përpara. Mirëpo ne nuk e dimë se cila ka qenë marrëveshja e vërtetë. Sepse më pas pamë që u paguanin 13 milionë euro për prishjen e pallatit të Lulzim Bashës në Vlorë. Pastaj ai nuk hyri përsëri në zgjedhjet lokale, por pastaj bëri sërish marrëveshje për Kodin Elektoral… Pastak u tradhëtua kauza e Astirit” – tha Topalli për ‘Java në RTSH’.
/a.r