Nga Elona Hasko
Sot, gjatë kësaj periudhe të pandemisë, po shihet gjithnjë e më shumë si e dobishme, e për disa e domosdoshme, të shkuarit tek një “Psi”, shkurtimi për një profesionist të shëndetit mendor që mund të mund të jetë një psikiatër, psikanalist, psikoterapist apo psikolog.
Në studimin më të fundit mbi pasojat e COVID-19 në shëndetin mendor, të botuar nga revista shkencore Lancet, 34 për qind e të mbijetuarve nga COVID-19 janë diagnostikuar me një lloj çrregullimi neurologjik ose psikologjik dhe shqetësimi më i zakonshëm ishte ankthi, i hasur në 17 për qind të rasteve që janë trajtuar për COVID-19, e më pas çrregullime të humorit në 14 për qind të pacientëve të infektuar e të trajtuar për COVID-19. Gjithashtu, edhe studimeve të tjera kanë mbështetur rezultatin, se COVID-19 ka shkaktuar pasoja negative dhe ka rritur në shifra domethënëse përkeqësimin e shëndetit mendor në mbarë globin. Rrjedhimisht është rritur kudo nevoja për të shkuar tek një “Psi”.
Një psikiatër është i orientuar drejt mjekimit me barna, por dhe një pjesë e madhe e tyre kanë një qasje edhe të kurës nëpërmjet psikoterapisë e psikanalizës krahas trajtimit me barna, dhe ndihma e tyre mund të jetë domethënëse në aspektin urgjent dhe afatshkurtër për shëndetin mendor të popullatës.
Gjithashtu, një psikanalist është një profesionist i shëndetit mendor shumë i rëndësishëm në ndihmën ndaj pacientëve të trajtuar për COVID-19, duke qënë se sipas studimeve përballimi ankthioz i ditëve të përballjes me këtë virus qoftë në kushte shtëpie apo spitalore ka qënë masiv, dhe psikanalisti me kurën që ofron nëpërmjet fjalës, dëgjimit dhe pranisë së tij mund të ofrojë një ndihmë të jashtëzakonshme në drejtim të përmirësimit mendor e shpirtëror. Prania e tyre nëpërmjet informacionit, shkrimeve në media, por qoftë edhe nëpërmjet platformave online ka qënë një ndihmë e madhe për të përballuar veçanërisht edhe angushtinë që na ka krijuar mënyra e re e jetesës e izolimit, distancimit dhe mungesës fizike tek të tjerët.
Gjithashtu, kemi parë që edhe psikoterapistët e psikologët përmes shërbimeve psikoterapeutike e psikologjike, sidomos ata që punojnë pranë qendrave komunitare të shëndetit mendor dhe spitalor, iu kanë ofruar një mbështetje të madhe pacientëve të trajtuar me COVID-19. Kemi parë një angazhim të madh të psikologëve shkollorë për t’iu ofruar ndihmë psikologjike nxënësve, por edhe familjeve, që prej fillimit të pandemisë, si dhe kemi parë dhe një angazhim të psikologëve klinikë pranë strukturave publike apo private të ofrojnë informacione dhe ndihmë konkrete nëpërmjet telefonit apo platformave virtuale dhe punës drejtpërdrejt me pacientin.
Prej gjithë këtyre profesionistëve të shëndetit mendor, një ndihmë e madhe iu është ofruar edhe familjeve të pacientëve të infektuar me COVID-19, pasi ankthi, pasiguria për familjarin e sëmurë e të karantinuar ka ndryshuar dhe konceptin e qasjes së ndihmës sonë ndaj familjarëve të sëmurë duke qënë të pamundur për t’iu gjendur pranë fizikisht dhe për t’i mbështetur emocionalisht.
Të gjithë këta shembuj tregojnë rëndësinë dhe dobinë e madhe që ka sjellë dhe mund të ofrojë të shkuarit tek një “Psi”, ndaj nuk duhet ngurruar të drejtohemi tek ta për ndihmë, kurim apo trajtim, sepse kështu ia mundësojmë vetes të mjekohemi, kurohemi apo trajtohemi nga një profesionist që është aty për të na ndihmuar, dëgjuar e mbështetur të ripërtërihemi e ndjehemi më mirë gjatë dhe pasi të mbarojë kjo periudhë me të cilën po përballemi të gjithë. Dhe, duke kryer kësisoj dhe aktin më të mirë për shëndetin tonë mendor.