Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi deklaron se më 25 prill qytetarët e Shqipërisë do të zgjedhin rrëzimin e fasadave të Edi Ramës.
Teksa publikon në rrjetet sociale një video me pamjet nga Peqini, Kryemadhi shprehet se “Rilindja” ka sjellë propagandë dhe jo prosperitet.
“Në 25 prill qytetarët e Shqipërisë do të zgjedhin rrëzimin e fasadave.
Në Peqinin me shumë halle, Rilindja ka sjellë propagandë dhe jo prosperitet. Harxhimet për postera si tentativë që ti hedhin hi syve qytetarëve, do të kishin lehtësuar dhimbjet e shumë familjeve në qarkun e Elbasanit, të cilat vuajnë pasojat e ekonomisë së dobët familjare.
Në 25 prill qytetarët e Shqipërisë do të zgjedhin rrëzimin e fasadave.
Në 25 prill Shqipëria voton nr. 6 LSI, për një qeverisje që kujdeset për secilin banor të vendit, shtëpisë së madhe të gjithë shqiptarëve”, deklaron në komentin bashkëngjitur videos kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Lidhur me denoncimet e publikuara nga Kryemadhi, banorët e Peqinit denoncojnë mungesën e ndihmës nga shteti për banorët e dëmtuar nga tërmeti.
Banori 1: Një çadër se prunë. Vajta bëra fotot e tjera, i kam çuar në bashki, asnjë lloj ndihme. Nuk kanë prurë fond thonë për rrethin e Elbasanit. Ça do bëhet? 2 vjet kam unë që kam dalë, që kur ra tërmeti i fundit. Vetë s’kam mundësi t’i ndërtoj, letra s’kam e gjë jo. Këtë kërkoj, të drejtën time, nuk kërkoj asnjë gjë tjetër.
Banori 2: Shtëpia ime ishte po në të njëjtën situatë siç e atij xhajës. Ndihmë nuk më dha njeri. As që të më ndihmonin pak, u detyrova që të marr lekë borxh tek miqtë që kam që të bëj një shtëpi. Jam interesuar atje, jo do të sjellim, jo do të bëjmë, nuk na kanë prurë asnjë gjë. U detyrova të paguaj lekët drejtpërdrejtë siç do shteti dhe më dhanë lejen. Drejtësia këtu ka mbaruar për mua. Kështu që unë i bie të ngarkoj plaçkat e të iki prapë, mos të rri fare më në këtë vend. Ky është shteti që qeveris sot./ b.h