Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qeveria do t’i adresojë të gjitha problemet me të cilat përballen qytetarët, por fillimisht ka theksuar se duhet të përmbyllet hapi i tretë i konstituimit të institucioneve, që është zgjedhja e presidentit të vendit.
“Në programin tonë qeverisës, në planin tonë të punës, do t’i keni edhe këto zgjidhje mirëpo njëherë do të zgjedhim presidenten, është e domosdoshme ta përmbyllim hapin e tretë të konsituimit të institucioneve në mënyrë që ta kemi mandatin katër vjeçar, përndryshe shkojmë në zgjedhje,” tha Kurti.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës deputetët ngritën çështjen e menaxhimit të pandemisë dhe mundësinë e ngritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Kurti tha se problemet e trashëguara ndër vite nuk mund të zgjidhen brenda javësh.
“Jo bardhë ose zi tash, ne duam që të përgatitemi për liberalizim (të tregut të energjisë), jo të hymë pa u përgatitur se mandej përfundojmë në mjerim qysh na keni sjellë deri këtu. Ne duam të përgatitemi, po liberalizim, çështja është kur, dhe këtu konsiston vendimi politik dhe politika qeveritare. Sa i përket gjendjes së rëndë të pandemisë. Unë pajtohem me juve që është e rëndë, mirëpo me datën 3 qershor të vitit të kaluar kur unë kam dalë nga zyra e kryeministrit, kanë qenë 30 të vdekur dhe tre herë e gjysmë të shëruar sesa raste aktive. Me datën 24 maj të vitit të kaluar asnjë të infektuar, pse, sepse qasja jonë ka qenë mbyllje fillestare dhe hapje graduale, në mënyrë që të jemi në gjendje që t’i gjurmojmë rastet e infeksionit dhe kemi pasur sukses, mirëpo kur ndërron qeveria, ndërron qasja, ndërron strategjia e pastaj edhe pasojat shkaktohen”, tha Kurti./ b.h