Pas studimeve në fakultetin e Ekonomisë, Gerta Duraku, do t’i investohej për një kohë të gjatë menaxhimit dhe zhvillimit të sipërmarrjeve të familjes së saj, duke njohur nga afër sfidat e një komuniteti të gjerë siç është ai i biznesit.
Por tanimë, Duraku kërkon që eksperiencën e saj jetësore dhe profesionale, aftësitë e zhvilluara dhe të ushtruara brenda një komuniteti kompleks, si aftësitë bashkëpunuese dhe vendosmëria për të zgjidhur problemet, t’i vërë në shërbim të një komuniteti më të gjerë, atij të banorëve të Kukësit, duke kandiduar për deputete në Kuvendin e Shqipërisë.
Drejtuesja e listës së Partisë Socialistë për Qarkun Kukës, thotë në një intervistë se “është shumë e rëndësishme që Kukësi të vazhdojë rrugën e nisur tanimë të transformimit, që punët e mira të mos mbeten përgjysmë e që të vijojnë beteja të rëndësishme që kanë në fokus rritjen e vazhdueshme të standardit të jetesës për banorët e kësaj zone”.
Që kjo rrugë e nisur të vazhdojë, Duraku kërkon mbështetjen e banorëve të Kukësit për një mandat të tretë të Partisë Socialiste.
“Sot është fakt i pamohueshëm që falë vullnetit të qeverisjes socialiste që e përmenda më sipër, Kukësi, kjo zonë me potencial të jashtëzakonshëm është bërë qendër e disa projekteve madhore që tashmë janë drejt realizimit të tyre si përshembull Aeroporti i ri i Kukësit. Projekti do të mundësojë që Kukësi të jetë qendër kryesore doganore për gjithë rajonin e Veriut dhe kjo sigurisht që do të sjellë përfitime të mëdha financiare për të gjithë qarkun tonë”, thotë Duraku.
Çfarë do të thotë për ty përgjegjësia e madhe e kryesimit të listës së Partisë Socialiste për qarkun e Kukësit në zgjedhjet e 25 prillit?
Gerta Duraku: Sigurisht që është një përgjegjësi e madhe, por edhe e dyfishtë, sepse së pari tregon vlerësimin që pati Partia Socialiste dhe Kryeminstri Rama te formimin tim profesional. Së dyti, sepse kam nderin e madh që të përfaqësoj gratë, nënat, vajzat kuksiane, të cilat për hir të së vërtetës, ndër vite në të kaluarën kanë patur nevojë për më shumë mbështetje, përfaqësim e promovim. Ato janë një forcë e potencial të madh për këtë zonë të bekuar me njerëz të mrekullueshëm që nga politika dhe vendimarrja meritojnë gjithmonë më të mirën.
Jeni shprehur më herët që kandidimi në Kukës, vendin e fëmijërisë suaj, e bën më të fortë lidhjen me rrenjët tuaja, aq sa shton edhe detyrimin moral për të bërë më të mirën për njerëzit e kësaj zone. Por përse në gjykimin tuaj, ata do të duhet t’i besojnë Partisë Socialiste një mandat të tretë?
Gerta Duraku: Në fakt, ky kandidim për mua është një nga sfidat më të rëndësishme të jetës sime, pikërisht sepse jamë bijë e këtij qyteti, i cili, pas vitesh të tëra lënë në harresë nga Partia Demokratike ka marrë brenda tetë viteve të fundit vëmendjen e qeverisë shqiptare përmes investimeve të mëdha. Është shumë e rëndësishme që Kukësi të vazhdojë rrugën e nisur tanimë të transformimit, që punët e mira të mos mbeten përgjysmë e që të vijojnë beteja të rëndësishme që kanë në fokus rritjen e standardit të jetesës për banorët e kësaj zone.
Përse një 36 vjecare e dedikuar te biznesi dhe sipërmarrja mendoi që në këtë moment është koha për të dhënë kontributin e saj në një detyrë publike sic është ajo e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë?
Greta Duraku: Unë mendoj që pas një eksperience disa vjeçare në biznes, në fushën e menaxhimit dhe atë financiare, duke dhënë e duke marrë me këtë komunitet, duke njohur nevojat por edhe arritjet, sfidat dhe potencialet e këtij komuniteti, ka ardhur momenti që ta vendos përvojën time në shërbim të një komuniteti edhe më të gjerë siç janë banorët e gjithë Kukësit. Unë nuk jam një politikane tipike, është hera e parë që angazhohem në politikën aktive, por mendoj se jam një ndër ato njerëz që duan ta vënë eksperiencën e tyre jetësore dhe profesionale në funksion të njerëzve që i rrethojnë, në funksion të qyteteve të tyre, në funksion të së ardhmes së vendit. Dhe Partia Socialiste si një forcë që gjithmonë përkrah të rinjtë në moshë, në ide, në energji, ishte dera e hapur që më dha pikërisht këtë mundësi të cilën dua ta shfrytëzoj pozitivisht me gjithë forcat dhe energjitë e mia.
Pas studimeve për financë ju jeni angazhuar në bizneset familjare. Të marrurit me një fushë sfiduese si biznesi për një kohë të konsiderueshme, a mendoni që ju ka ndihmuar për të zhvilluar aftësi të nevojshme lidershipi për angazhimin tuaj në politikë?
Gerta Duraku: Unë kam qënë drejtuese e kompanive me mbi 400 punonjës dhe gjatë kësaj pune besoj se kam fituar një eksperiencë të konsiderueshme e të mjaftueshme për të ndërtuar një model e një identitet timin si drejtuese në fushën ku unë kam operuar deri tani. Ajo për të cilën jam e bindur dhe besimplotë është se ashtu siç kam bërë për vite me radhë në angazhimin tim profesional, edhe në politikë do të ofroj dedikimin tim maksimal, qasjen time bashkëpunuese, vendosmërinë time për t’i çuar gjërat deri në fund, cilësi që në fakt përkojnë edhe me qasjen që kam parë e që kam gjetur brenda partisë socialiste, si një forcë me vullnetin e palëkundur për të përfunduar punët e nisura.
Si njohëse e fushës, si dhe sa mendoni që mund të fuqizohet më tej perspektiva e zhvillimit ekonomik të kësaj zone me potencial si Kukësi?
Greta Duraku: Sot është fakt i pamohueshëm që falë vullnetit të qeverisjes socialiste që e përmenda më sipër, Kukësi, kjo zonë me potencial të jashtëzakonshëm është bërë qendër e disa projekteve madhore që tashmë janë drejt realizimit të tyre si përshembull Aeroporti i ri i Kukësit. Projekti do të mundësojë që Kukësi të jetë qendër kryesore doganore për gjithë rajonin e Veriut dhe kjo sigurisht që do të sjellë përfitime të mëdha financiare për të gjithë qarkun tonë. Investimi, pra aeroporti do të sjellë, do të nxisë investime të tjera në fushën e turizmit sepse Kukësi ka të gjitha atraksionet për të qënë një qendër e turistëve nga e gjithë bota. Dhe le të mos harrojmë se nga turizmi mund të gjenerohen të ardhura mjaft të mira për vendet si Shqipëria./ Lexo.al/
b.h