Finalizohet ankandi për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Spitallës, një park me kapacitet prej 100 Megavatësh i cili do të ngrihet në një sipërfaqe prej 120 hektarësh.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se fituesja e parkut fotovoltaik të Spitallës është kompania franceze Voltalia e cila ka bërë ofertën 29.89 euro për megavat.
“Një tjetër hap drejt diversifikimit të burimeve të energjisë, pas parkut fotovoltaik të Karavastasë”, thotë MIE.
Gara ndërkombëtare për parkun e dytë fotovoltaik më të madh në vend është hapur më 19 nëntor 2020. Parku i Spitallës do të ndërtohet në periferi të Durrësit me një sipërfaqe 120.8 hektar.
Interes për të marrë pjesë në garë patën shfaqur 20 kompani të huaja dhe konsorciume, por në përfundim të ankandit ndërkombëtare janë administruar 5 oferta mes tyre edhe kompania Volitalia, që po ndërton parkun me energji diellore të Karavastasë.
Ky park me energji diellore do të prodhojë 100 megavat ku 70 megavat do të blihet nga shteti dhe 30 megavat mund të shiten në treg të lirë nga privati, dhe do të jetë i dyti në vend pas atij të Karavastasë që ka një fuqi prodhimi prej 140 megavatesh./ b.h