E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt. Edhe pse i ka lavdëruar ministrat e tij, ai ka thënë se ata duhet të rrinë më shumë në Kosovë, pasi një pjesë e tyre mbetën jashtë. Në mbledhje ka miratuar projektligjet për Energjinë dhe për Gazin Natyror. Qeveria ka miratuar edhe dokumente dhe vendime tjera në kuadër të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore, njofton kumtesa nga Kryeministria, transmeton Koha.net.
Në hapje të mbledhjes kryeministri Isa Mustafa, vlerësoi punën njëvjeçare të Qeverisë duke përgëzuar ministritë për punën e bërë.
Kryeministri Mustafa vlerësoi se përkundër vështirësive që e kanë karakterizuar këtë vit, në aspektin politik, Qeveria ka arritur t’i përmbush objektivat kryesore, të cilat i ka përcaktuar për këtë vit, duke vlerësuar edhe bashkëpunimin e mirë ndërmjet ministrive.
“Vlerësoj se e arritura më e madhe e këtij viti është nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, që flet për përkushtimin e Bashkimit Evropian për vendin tonë, por edhe për besimin që Bashkimi Evropian ka në qeverisjen e mirë në Kosovë.
Është, po ashtu, vlerësimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar se ne do të kemi një rritje ekonomike këtë vit prej rreth 3.8 për qind, që flet për ndryshimin e trendit të zhvillimit ekonomik, sepse po hyjmë në një trend të rritjes së zhvillimit ekonomik për periudhën e ardhshme kohore, dhe për besimin që Kosova ka arritur ta krijojë tek institucionet financiare ndërkombëtare, para së gjithash te FMN-ja, me nënshkrimin e Marrëveshjes me Fondin, dhe te institucionet evropiane financiare, siç është Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Banka Evropiane për Investime, një pjesëmarrje e madhe e Bankës Gjermane për Zhvillim, pastaj e Bankës Botërore”.
Unë mendoj se këtu qëndron edhe baza e zhvillimit tonë në të ardhmen, sepse na u ka mundësuar që të kemi burime tjera të financimit, jashtë burimeve buxhetore”, tha kryeministri Mustafa.