Nga Ben Andoni
Lulzim Basha prej ditësh po bën një tur të sforcuar në të gjithë vendin në përpjekje për të ngritur një frymë anti-Rama. Kanë humbur temat e ngushta që i shqetësojnë realisht njerëzit, ndërsa kudo ai mundohet të tregojë spontanitetin me qytetarë të zakonshëm, duke dëgjuar për problematikat. Ndryshimi, sipas tij, do të ndodhë menjëherë. Po, menjëherë sapo ai të vij në pushtet, do zhduket kjo …klikë, ky regjim…Në këtë valë e mbajnë diskursin dhe njerëzit e tjerë në PD, të etur për ulësen e parlamentit, përveç pak intelektualëve të kujdesshëm, që njohin shifrat por më shumë inercinë e shtetit. Pjesa tjetër, që janë numërorë dhe po tregohen që tani zhgënjyes pa u ulur në Parlament, thjesht besojnë gjëra që i thonë vetë. Tabaku, një zë i arsyeshëm, e shpjegoi shumë mirë në intervistë sepse do të duhej të paktën një vit (lexo kushte normale) të ndodhë ndryshimi. Kuptohet duket hequr variablin e pandemisë dhe fillimin e normalitetit pas tij, që askush nuk i përmend.
Shqipëria, pas tërmetit shkatërrimtar dhe pandemisë, do e ketë shumë të vështirë rikuperimin. Ndalimin e trendit për të ikur jashtë do e ketë ende të vështirë, pasi i gjithë Ballkani është me valixhe afër derës dhe me sytë nga horizonti i Perëndimit. Kësaj ende nuk i japin dot përgjigje ekonomistët e vendit, duke abstraguar për të qenë në lojën e shifrave sa më afër një realiteti të ardhshëm dhe kuptohet politikanët që kanë mangësi pafund në formimin e tyre. Edi Rama po ashtu, që në kohët e fundit, megjithë premtimet, ka filluar të kuptojë mirë kokëfortësinë e shifrave por sidomos logjikën që të çojnë algoritmet e shumta të ekonomisë, ka filluar të kursehet me premtimet.
Nuk po përmendin arradhën tjetër të politikanëve dhe formacioneve të tyre, pasi pesha e tyre specifike është e vogël, por një gjë mbetet shqetësuese sepse edhe me këtë fushatë që do shpallet zyrtarisht pas pak ditësh, ata nuk mundën dot të hiqnin atë etiketimin e politikanëve të formacioneve parapolitike. Ligjërimi i tyre politik, fyerjet pa asnjë cak, mujshia për pushtet por sidomos fluturimi nga realiteti po i tregon ashtu si janë para atyre që i zgjedhin: të vegjël dhe pa shpresë se këtij vendi do t’i japin shpejtësinë e duhur të integrimit.
Gati një muaj, para zgjedhjeve të përgjithshme, duket se më i mençur nga të gjithë është elektorati shqiptar, ai që do mbledhë mendjen në argumentin e të ardhmes, do i jap udhë të lirë shqisave dhe do t’i besojë arsyetimit. Pikërisht, votuesi shqiptar, që nuk ka gabuar në të gjithë ndryshimet në vend, paçka se është tradhtuar shpejt nga të besuarit e tij në demokraci, të cilëve duhet t’u delegojë pushtetin. Ndaj Basha &Co le ta bëjnë të qetë fushatën e tyre, por pa harruar se në fund shqiptari i thjeshtë…do votojë për arsyen, jo përrallën. (Javanews)