Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku tha mbrëmjen e së premtes se investimet për diversifikimin e burimeve të energjisë do të sjellin rritje të prodhimit vendas dhe të eksporteve të energjisë çka do të çojë në uljen e çmimit të energjisë elektrike.
E ftuar në emisionin “Java në RTSH”, Balluku tha se “qeveria shqiptare është munduar dhe do të vazhdojë të mbajë këtë nivel çmimi për energjinë elektrke për sa kohë do të vijojë ta importojë energji”.
“Duke kuptuar vështirësinë e të gjithë familjarëve dhe sigurisht që është një çështje sensitive, qeveria ka marrë masa për gjithë ata abonentë që nuk kanë mundësi të paguajnë faturat, duke vënë në dispozicion “Stafin për abonentin në nevojë” dhe kjo nuk është vetëm për energjinë por edhe për ujin, sigurimet shoqërore dhe fusha të tjera”, u shpreh Balluku.
Balluku solli në vëmendje se se e njëjta parti që e premton sot fashën e energjisë, nga viti 2005 në 2013, e ka futur dhe e ka hequr dy herë këtë fashë, si një përpjekje shumë të dështuar.
“Sepse jo vetëm është abuzuar por është abuzuar edhe nga shteti duke i faturuar qytetarët më shumë, pikërisht përmes fashave. Pra duke i faturuar në mënyrë abuzive dhe afrofe dhe duke i thënë do rregullohemi muajin tjetër dhe duke e lënë abonentin në dorë të çdo taksidari që i shkonte te dera dhe vendoste numrat si i donte nëpër sahatet matëse të energjisë”, tha Balluku.
Ndërkohë sot, theksoi ajo, mënyra sesi ne faturojmë energjinë është sipas modeleve më të mira. “Sot të gjithë matësit janë smart dhe janë elektronikë dhe të paprekshëm duke e mbyllur njëherë e mirë fazën e abuzimit dhe pse u dashka kthyer në të shkuarën ku kemi vetëm praktika të këqija dhe jo të mira”, tha ajo.
“Ndërkohë që çmimi do të ulet vetëm nëse Shqipëria nuk i drejtohet më importit të energjisë. Ditën që nuk do t’i drejtohemi importit dhe do të rrisim prodhimin vendas, përmes burimeve të rinovueshme dhe TEC -it të Vlorës atëherë ne nuk do të importojmë më por do të eksportojmë duke rritur të ardhurat në fushën energjetike dhe investimet dhe duke ulur çmimin, pasi prodhimi vendas është shumë i lirë”, tha Balluku.
“Ne kemi arritur të marrim nga Parku i Karavastasë për 15 vitet e ardhshme energji me 24,86 euro. Këto janë hapat sesi mund të ulim çmimin e energjisë dhe jo duke iu rikthyer atyre çfarë ke bërë gabim në të shkuarën”- theksoi Balluku për “JAVA në RTSH”.
/a.r