“Zgjedhjet parlamentare 2021 do të rankohen si më të shtrenjtat në historinë e Shqipërisë. Nëse proceset e tjera zgjedhore i kanë kushtuar buxhetit të shtetit mesatarisht 7 milion dollarë, këtë vit buxheti do të paguajë 40 milion dollarë.”
Vonesat e shkaktuara në gjetjen e saktë të faturës së mbarëvajtjes së procesit elektoral për shkak të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, bënë fillimisht që qeveria të jepte vetëm një shumë prej 1.36 milion dollarësh për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe të linte si fond rezervë 10 milion dollarë të tjera zgjedhjet.
Pilotimi i identifikimit elektronik të zgjedhësve për një njësi administrative në Tiranë ndryshoi tërësisht faturën dhe KQZ kërkoi 24 milion dollarë për financimin e këtij projekti.
Qeveria ka miratuar së fundi edhe një shtesë prej 14.5 milion dollarësh për shpenzime administrative të cilat mund të nevojiten si pasojë e ndryshimeve të ligjit zgjedhor.
Ekspertët e ekonomisë thonë se nga pikëpamja e menaxhimit të financave publike, fondi është i konsiderueshëm, ndërsa nënvizojnë se kompania që do të bëjë sistemin elektronik duhet të kontraktohej përmes procedurave të hapura.
“Duhet të ketë përgjegjësi për fondet e buxhetit të shtetit dhe të ndiqen procedura të hapura për të patur çmime më të lira, po ashtu institucionet duhet të detajojnë shpenzimet dhe të japin llogari e transparencë te qytetarët se përse janë këto shpenzime.”
Ekonomistët këshillojnë që palët politike duhet të gjejnë dakordësi në kohën e duhur për sistemet, në mënyrë që emergjencat të mos shkaktojnë kosto për xhepat e taksapaguesve.
“Vendimet politike për mbarëvajtjet e procesit zgjedhor, nga pikëpamja ekonomike, duhet të merren më parë, në mënyrë që fondet të llogariten mirë dhe me eficencë dhe të mos shkaktojnë kosto kaq të mëdha.”
Fondi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor është 6-fish më i lartë se mesatarja e shpenzimeve të buxhetit në vitet e tjera zgjedhore, si për pushtetin vendor dhe për zgjedhjet parlamentare.