Në fjalën e saj ministrja Kodheli falënderoi Forcat e Armatosura për punën atje dhe foli për rëndësinë që kjo urë ka për banorët e asaj zone. “Kjo urë do të lidhë dhe do të thjeshtësojë lëvizjen për 5 njësi administrative. Janë 4 shkolla, fëmijët e të cilave iu lehtësohet lëvizja, është qendra shëndetësore.
Falënderoj pushtetin lokal për bashkëpunimin dhe besoj që fryti i këtij bashkëpunimi kanë qenë të gjitha gjërat që ne kemi bërë këtu dhe shpresoj shumë që do të vazhdojmë të jetë kështu edhe për një kohë të gjatë, sepse këtë e bëjmë për njerëzit.
Një bravo të madhe, madhe, Forcave të Armatosura dhe djemve që punojnë ditë-natë për ta realizuar këtë gjë. Nuk është e thjeshtë, por dëshira, vullneti, besimi, dinjiteti në fakt kalojnë çdo pritshmëri për të realizuar këto vepra që, thjesht dhe vetëm, ndihmojnë qytetarët shpeshherë në vështirësi për shkak të infrastrukturës së prapambetur, apo mungesës së investimeve” – u shpreh ministrja Kodheli.
Nga ana tjetër, nënkryetarja e Bashkisë së Matit, Anjeza Shema, vlerësoi bashkëpunimin me Ministrinë e Mbrojtjes.
“Është hera e parë që dikush bashkëpunon dhe unë, znj. Kodheli, dua ta përshëndes në këtë rast dhe është me të vërtetë një rast shumë i mirë për qytetarët. Është momenti që ne të zhvishemi politikisht dhe të mendojmë me të vërtetë për këta qytetarë ashtu siç mendoi ministrja dhe Bashkia Mat” – tha ajo.
Ura e ndërtuar mbi përroin e Tharbërit është e gjatë 24 metër dhe ka një peshëmbajtje prej rreth 10 ton. Ajo lidh fshatin Laç me rrugën kryesore dhe fshatin Urakë e me qendrën e Njësisë Administrative Rukaj, së cilës bashkë me fshatrat Bruç, Prellë dhe Remull i shkurton ndjeshëm distancën me rrugën nacionale.