Një mësim nga historia
Dhe ndodhi çudia një ditë, në Korçë, qytetin e ekstremit juglindor të Shqipërisë. U krijua një ‘Republikë Autonome’ , që njerëzit do ta njihnin dhe do ta kujtonin gjatë me emrin “Republika Franceze e Korçës”. E brishtë, si çdo gjë tjetër e re, mini Republika shqiptare tregoi cilësitë më të mira të qytetarëve të saj, në një vullnet të mirë të përgjithshëm. Me një suport të komandës franceze dhe e vetëqeverisur, “Republikëza e Korçës” bëri atë që nuk bëhej. Ajo filloi që të shtypte banknotën e saj dhe madje emëtoi dhe seritë e para postale. Për pak muaj, ajo i la vite të tëra mbrapa qytetet e tjera shqiptare, që gëlonin nën avujt e orientalizmave të tyre karakteristike. Ndoshta mbetet si një nga shembullat më të mirë të administrimit publik shqiptar. Aq sa, fqinjët ziliqarë grekë, që kishin tentuar dhe tentonin që ta rimernin Korçën, mbeteshin të zilepsur, nga ndriçimi i saj. Por, ëndërra e ka një fund dhe me sa duket këtë fat pati edhe Republika “franceze” e Korçës, që i dha fund ekzistencës së saj në pak vjet. Heroi administrator i saj, Themistokli Gërmenji, që u arrestua në Korçë dhe paradoksalisht u dënuar si tradhëtar, i shqiptoi në fytyrë përfaqësuesit francezë të Fuqive të Mëdha, ndërsa shkonte, i veshur me veshjet kombëtare, para skuadrës së pushkatimit: “Ju nuk e njihni mentalitetin shqiptar. Ju nuk e njihni shpirtin e popullit tim”.Një thirrje që është harruar dhe që shqiptarët kanë nevojë që ta risjellin vazhdimisht nga kujtimi i njerëzve, që kanë dhënë aq shumë për historinë e tyre kombëtare.
Gjithsesi Republika, që u bë me ndihmën e forcave franceze, pushoi së jetuari në vitin 1920. Parisi i lajmëroi forcat e saj se duhet të tërhiqeshin. Në vend të ndihmës, francezët lanë si kujtesë të mirë në vend, varrezat e ushtarëve që kishin luftuar; një lice që edukoi për dekada aq shumë shqiptarë dhe dashuri të rrënjosur për Francën, që si në kohën e dorëzimit të Gërmenjit, e harron “ndonjëherë” Shqipërinë. Ben Andoni
——————-
Kjo ishte “Republika franceze” e Korçës
Si u krijua dhe si jetoi përgjatë katër viteve, qyteti i njohur shqiptar i ekstremit juglindor. Personazhet kryesorë të tij dhe të gjithë elementët që i mbajtën republikanë korçarët e dekadave të para të shekullit të XX
Nga Luan Rama* 10 dhjetor 1916. Në qendër të qytetit të Korçës, në hollin e ndërtesës së bashkisë, një kompani këmbësore franceze kishte marrë një qëndrim ceremonial. Komandanti i tyre Henri Decoins, i rrethuar prej një morie delegatësh, po shihte për herë të fundit
faqet e daktilografuara të marrëveshjes që do të firmosej nga ai dhe katërmbëdhjetë delegatët shqiptarë të kazasë së Korçës, ku përfshiheshin shtatë ortodoksë dhe shtatë muslimanë. Jashtë ndërtesës populli shtynte, duke shprehur gëzimin e papërmbajtur të tij. Disa ia kishin marrë këngës dhe qyteti dukej sikur po përgatitej për një festë të veçantë: krijimin e Republikës Autonome, që më vonë disa do ta quanin në gjuhën e popullit “Republika franceze e Korçës”. Ç’ishte vallë kjo republikë? Përse një republikë më vete? Në librin e botuar në Paris nga Dhimitër Kolovani në vitet 20-të, “La question de Koritza”, dhe me nëntitull “Çështja e Korçës një çështje nderi për francezët që kanë ngritur flamurin shqiptar në dhjetor 1916”, botohen dhe emrat e atyre që e kanë nënshkruar këtë marrëveshje historike, mes të cilëve janë Vasil Ngjelo, Kostandin Noçku, Refail Avrami, Nikolla Evangjeli, Shaqir Shabani, Tefik Rushiti, Hysen Dishnica, Emin Rakipi, Eftim Çali, Vasil Kondi, Qani Dishnica, Sali Babani, Haki Shemshedini dhe Llambro Mborja.
Në ballë të ndërtesës atë ditë valëviteshin dy flamuj: ai shqiptar me shqiponjën dykrenare dhe ai francez tringjyrësh, bardh, kuq, e blu. Themistokli Gërmenji, njeriu i dëgjuar i qytetit, veshur me një redingotë të asaj kohe kryesonte delegatët e tjerë. Ai nisi të mbajë një fjalim nën vështrimin e paqtë e të gëzuar të oficerit francez Descoins. “Në bazë të vullnetit të popullit shqiptar të shprehur nga delegatët e kazasë së Korçës dhe të krahinave të Bilishtit, Kolonjës, Oparit dhe Gorës, krijohet provinca autonome e administruar nga funksionarë shqiptarë, nën mbrojtjen e autoritetit ushtarak francez”. Pas fjalimit, nën zhurmën e muzikës ushtarake, parakaluan ushtarët me armët ngjeshur. Nga ballkoni i ndërtesës, Themistokli Gërmenji kishte filluar të tundte flamurin nën brohorimat e turmës entuziaste. Pas nënshkrimit të Protokollit, kapiteni Descoins do t’i dërgonte një telegram të shpejtë komandantit të tij gjeneralit Sarrail, i cili e kishte vendosur shtabin e tij në Selanik të Greqisë, duke i transmetuar dhe formulën e shkruar dhe të firmosur nga të gjithë:”Ne, delegatët e popullit shqiptar, i deklaruam përfaqësuesit të Francës se kazaja e Korçës dhe zonave që varen prej saj, është një provincë autonome e administruar nga funksionarë shqiptarë. Në kërkojmë të vendosemi nën mbrojtjen e autoriteteve franceze”…
Descoins kishte veç disa muaj që kishte ardhur në Korçë. Gjatë kohës së “La Grande Guerre” (Luftës së Madhe, siç quhej në atë kohë Lufta e Parë Botërore), Descoins kishte luftuar në Dardanele, në krye të kavalerisë franceze. Pastaj kishte përshkruar Serbinë, më pas Ostrovë e Follorinë me “L’Armee de l’Orient” (“Armata e Lindjes”), të komanduar nga gjenerali i famshëm Sarrail, kryekomandant i Fuqive Aleate në zonën e Ballkanit, pra në kufirin greko-shqiptaro-bullgaro-serb. Atë kohë Italia, Serbia dhe Greqia ishin aleatët e Francës në luftën kundër forcave të Boshtit, apo ushtrive austriake, gjermane e bullgare. Trupat e para franceze kishin ardhur së pari në kufirin jugor shqiptar nga Follorina, më 15 shtator 1916. Korça atëhere ishte e pushtuar nga ushtritë greke që kërkonin me çdo kusht t’ia aneksonin atë tokave të Greqisë. Në fillim në Korçë kishte hyrë kapiteni Cuinet dhe më pas koloneli De Bourzanel, në krye të tre eskadronëve të “Chasseurs d’Afrique”, ku kishte edhe mjaft senegalezë. Me ta bashkohet dhe koloneli De Fouton, në trupat e të cilit kishte plot ushtarë nga kolonitë e Francës. Atë muaj, në Korçë, me urdhër të gjeneralit Sarrail, u vendosën 4 batalione infanterie, 2 eskadrione kavalerie dhe një gjysëm-baterie. Pushtimi i Korçës nga grekët i kishte bërë të pasigurta veprimet ushtarake franceze, pasi shqiptarët kishin filluar një luftë të gjërë kundër grekëve. Francezët e kuptuan se kazaja e Korçës nuk mund të ishte tokë greke, jo vetëm se historikisht nuk i kishte përkitur ndonjëherë asaj, por sepse shqiptarët e kazasë as që nuk e flisnin gjuhën greke. Gjeografi Jean Bryhn, i dërguar më parë nga qeveria franceze në Shqipëri, raportonte se “në Korçë nuk jetojnë grekë dhe Korça është tokë shqiptare”. Komandanti Holtz që do të vinte pak më vonë në Korçë, në krye të “Forces suppletives Marocaine”, shkruan në raportet e tij se “shqiptarët këtu, pa dallim feje, deklarojnë se para të gjithash janë shqiptarë”. Pas një njoftimi të shkurtër që i bën Quai d’Orsay-it, gjenerali Sarrail “commandant en chef des Forces Allies”, vendos që të dërgojë në Korçë trupat e tij.” Në krahun tim të majtë, do të shkruajë ai më pas në kujtimet e tij të botuara në librin “Mon commandement en Orient”,- kazaja e Korçës, e pushtuar nga grekët që gjatë luftrave ballkanike, po bëhej një teatër përleshjesh shpesh të përgjakshme dhe qendër e intrigave italiane, venizeliste, esadiste e serbe dhe njëkohësisht vatër e spiunazhit austro-bullgar. Esad shqiptari nuk ishte i kënaqur që një pjesë e Shqipërisë po i ikte, duke u bërë autonome. Venizellosi po kështu nuk ishte i kënaqur me largimin e detyruar të grekëve. Italianët që donin Korçën dhe gjithë Shqipërinë po kundërshtonin në mënyrë të ashpër”. Po ato kohë, duke iu përjgigjur ministrit të jashtëm francez Ribot për “veprimin e tij të nxituar”, (pra shpalljen e autonomisë), gjenerali Sarrail i shkruan:”Unë gjithnjë kam dashur të bëhet vullneti i popullit. Korça deshi të ishte e pavarur dhe ajo u bë. Që nga ajo kohë, qetësia mbretëron në këtë zonë”.
Kapiteni Descoins kishte hyrë në Korçë më 16 nëntor të 1916 me urdhër të gjeneralit Sarrail, i cili e çmonte për guximin dhe ndershmërinë e tij. Të nesërmen e ardhjes së tij, i pari që kishte kërkuar ta takonte kishte qenë ish komisari i policisë së qytetit, Themistokli Gërmenji. Gërmenji i kishte shkuar në zyrë, duke i folur me dorën në zemër :”Unë jam një patriot shqiptar dhe nuk kam asnjë motiv të jem kundra Francës. Unë asnjëherë nuk kam qenë kundër jush, por kam qenë me ata që mund të garantojnë lirinë e vendit tim…Pra unë vij t’ju them ndershmërisht:Mund të mbështeteni tek unë. Kërkoj veçse t’ju ndihmoj dhe të vë në shërbimin tuaj gjithë influencën time në popull”.
Pas shpalljes së Republikës, Këshilli Administrativ me kapiteni francez në krye iu vu punës për daministrimin e kazasë dhe zgjidhjen e problemeve jetike në një kohë tepër të vështirë dhe kur mjerimi dhe uria kërcënonte gjithë Shqipërinë, e cila në ato kohë ishte kthyer në një fushë beteje të ushtrive të mëdha. Nga 10 dhjetor 1916 gjer më 9 nëntor 1917, Këshilli aprovon ligje e dispozita të shumta, si ligji agrar, ligjet për taksat, për shfrytëzimin e pyjeve, shfrytëzimin e minierës së Mborjes, ligje për arsimin e detyrueshëm, etj. Botohen kode të ndryshme, si kodi civil dhe penal. Vihen në qarkullim monedha dhe pulla shqiptare me simbole shqiptare dhe vulën e autoritetit ushtarak francez. Në prill 1917, një nga ushtarakët francezë dhe bashkëpunëtor i kapitenit descoins, shkruan se “Republika e Korçës aktualisht ëhstë i vetmi shtet në Evropës që ekuilibron buxhetin e vet dhe nuk ka asnjë defiçit”. Për ndërtimet e rrugëve dhe urave ndihmon kapiteni i artilerisë Dumont, i cili është njëkohësisht inxhinier i “Ponts et chaussees”. Një tjetër inxhinier i minierave, leitnant Bidon, ndihmon për fillimin e punimeve për shfrytëzimin e minierës së Mborjes. Komandanti Massiet krijon një trupë prej 250 njerëzish për mbrojtjen e Këshillit dhe të rendit në kaza. Policia franceze dhe vullnetarët vendas drejtoheshin nga Tubert e më pas nga komandanti Holtz, i cili i adhuronte shqiptarët për besnikërinë e tyre. Francezët vendosën marrëdhënie të mira me taboret e Sali Butkës, Spiro Ballkamenit dhe prijësave të tjerë të kësaj kazaje, që atë periudhë përfshinte 76.965 banorë, ndërsa zona e Pogradecit 39.840 banorë. Menjëherë pas shpalljes së republikës, tri ditë më vonë, ambasadori i Italisë, Tittoni, i kërkon në Paris kryetarit të shtetit Briand, shpjegime mbi veprimin e ushtrive franceze në Korçë. Atë kohë Serbia është në veri-lindje të Shqipërisë, austriakët në veri-perëndim, italianët në jug, grekët ishin të detyruar të linin Korçën dhe Sazanin. Veprimi i gjeneralit Sarrail kishtë rënë si bombë në kancelaritë e Fuqive të Mëdha…
Në Korçë dittë rridhnin të paqta e plot entuziazëm. Francezët shiheshin nga populli si shpëtimtarët e kazasë dhe si miqtë e tyre më të mëdhenj. Tashmë ata e ndjenin veten të lirë e më vete. ”Protokolli i Republikës së Korçës”, siç quhej atëhere, pati vetëm një vit jetë, por edhe me kaq pak kohë kjo periudhë do të linte gjurmë të mëdha në jetën e shpirtrat e njerëzve të kazasë. Nga presionet e mëdha, gjeneral Sarrail u detyrua ta largonte kapitenin Descoins, edhe pse e çmonte lart atë. Descoins do të largohet nga Korça në maj të vitit 1917. Pas largimit të tij, ngjarjet do të zhvillohen me shpejtësi. Italia, Greqia dhe Serbia kërkonin me ngulm shfuqizimin e Protokollit të Korçës se gjoja kjo i linte shteg “nacionalizmit shqiptar”. Në muajin nëntor të këtij viti, grekët montojnë në fshehtësi një proçes kundër Themistokli Gërmenjit duke e akuzuar për tradhti dhe si agjent të bullgarëve dhe austriakëve. Një gjykatë ushtarake në Selanik e dënon atë me vdekje dhe ekzekutimi i tij bëhet menjëherë për ta mbyllur çështjen e tij, çështje që do të mund të bëhet e njohur vetëm në vitin 2017, kur mund të hapet dosja e tij në arkivat e ushtrisë franceze në Vincennes. Më 16 shkurt 1918, më së fundi protokolli abrogohet. Lufta ballkanike dhe “Lufta e Madhe” mbarojnë më 1918. Trupat franceze vazhduan të qëndrojnë në Korçë edhe pse grekët donin ta bënin menjëherë zëvendësimin e trupave të “L’Armee d’Orient”. Por, gjenerali Sarrail, nuk pranoi t’ia linte kazanë grekëve, edhe pse presionet ishin të mëdha. Ato ditë, shumë nga korçarët e dekoruar nga ushtria franceze, mblodhën dekoratat dhe ja çuan përfaqësuesit francez duke i thënë:”Ne nuk kemi nevojë për dekorata të tilla, por për qëndrimin tuaj në Korçë”…
Më 20 maj 1920 Parisi vendosi që trupat franceze të lënë kazanë e Korçës. Më 28 maj filloi tërheqja e tyre. Ndërkohë shqiptarët kanë rrokur armët dhe janë gati të luftojnë për mbrojtjen e Republikës së tyre…
Edhe pse francezët u larguan nga Korça, populli do t’i kujtonte gjithnjë ata si aleatët e vet më të mëdhenj. Ata lanë pas tyre varret e ushtarëve francezë dhe liceun francez të hapur më 1917…
Publicist, diplomat
Marrë nga “Krushq të largët: Francë-Shqipëri, Shqipëri-Francë”