I shqetësuar nga zhurma që bëhej në apartamentin ngjitur me të tijin, natën e 26 nëntorit 2015, bukëpjekësi shqiptar Lorenc Prifti vrau në gjaknxehtësi e sipër ekonomistin italian Francesco Maria Pennacchi.
Ngjarja që ndodhi në Velletri tronditi mbarë opinionin, sidomos pas arsyetimit të shqiptarit se e vrau fqinjin e tij që kishte një zyrë kontabiliteti ngjitur me të, pasi i kishte prishur gjumin. Isabella De Angelis ishte gjyqtarja që i vuri kapak kësaj historie, duke dhënë sot vendimin për ta dënuar me 30 vjet burg Lorencin, ashtu si më herët kishte edhe prokuroria, ndonëse nëna e viktimës kishte kërkuar një masë më të rënde me anë të një letre që e kishte çuar deri në zyrën e presidentit.
SI NDODHI NGJARJA NJË VIT MË PARË
Ngjajra e rëndë ndodhi mbrëmjen e 26 nëntorit teksa Prifti kthehej në banesën e tij në rrugën Volsci pas orës 23:00 të mbrëmjes. Me të hyrë në banesë dëgjoi që në zyrën e ekonomistit Francesco Maria Pennacchi vinin zhurma, ky i fundit po bënte muhabet me dy miq. Ekonomisti kishte shkuar në zyrë për të mbaruar disa pune, ndërsa kishte zhvendosur edhe një kompjuter, por i mërzitur nga zhurma shqiptari nuk ka duruar më, ka marrë një thikë dhe i ka trokitur në derë. Siç ka deklaruar edhe prokurori, thikën e ka mbajtur të fshehur në pantallona, derisa fqinji i ka hapur derën. Pasi ka bërë sherr me të, e ka qëlluar me thikë. Të njëjtën gjë ka dashur të bëjë edhe me miqtë e tij.
PROTESTAT
Pas arrestimit të shqiptarit për aktin e rëndë, protesta të shumta janë zhvilluar në Velletri të Italisë. Ndërsa sot qindra njerëz me fotot e ekonomistit në dorë kërkuan drejtësi për të, para gjykatës.
Në lidhje me vendimin, vëllai i viktimës është shprehur i kënaqur, “Ne bëmë thirrje për drejtësi dhe drejtësia është dhënë. Është dhënë maksimumi për autorin”,- tha ai./bw/a.k