Nga Bashkim Shehu dhe Eduard Zaloshnja
Me krijimin e sistemit shumëpartiak në Shqipëri nga fillimi i viteve 1990, Partia Socialiste, trashëgimtare e PPSH (partia komuniste), e identifikoi veten si e majtë. Dhe, ngjashmërisht me partitë e tjera komuniste të Europës Lindore, përvetësoi simbologjinë e partive socialiste apo socialdemokrate të Perëndimit. Në të njëjtën kohë, dhe pjesërisht si efekt reagimi, Partia Demokratike dhe të tjera parti të reja në Shqipëri e identifikuan veten si të djathta.
I njëjti dallim apo e njëjta ndarje “e djathtë – e majtë”, si terma të identitetit politik, pa kurrfarë precedenti në historinë e vendit – madje mund të themi se, në këtë aspekt, përbën rastin më të pastër, më ex nihilo të këtij fenomeni në krejt Europën Lindore, – gjen pasqyrim edhe në vetidentifikimin e qytetarëve shqiptarë në anësitë e tyre partiake, si dhe në ligjërimin publik përgjithësisht.
Në një studimin statistikor që kryem me mbështetjen e fondacionit gjerman Konrad Adenauer (KAS)*, analizuam në thellësi identitetin ideologjik simbolik të lartpërmendur, për të parë se deri në çfarë mase është në përputhje me substancën reale të ndarjes “e djathtë – e majtë” nga pikëpamja e projekteve dhe vlerave politike. Si kriter dallues, iu referuam spektrit politik të Europës Perëndimore, që është hapësira klasike e kësaj mënyre identifikimi në politikë. Për këtë studim, përdorëm një kampion përfaqësues të popullsisë së rritur të vendit, me marzh gabimi statistikor deri në +/- 2.9% .
REZULTATET KRYESORE
- Nga pikëpamja ideologjike, 41% e të anketuarve në vrojtimin tonë statistikor e konsiderojnë veten të majtë, 31.3% të djathtë dhe 24.2% të qendrës (3.5% u përgjigjën “Nuk e di”).
- Shumica dërrmuese e të anketuarve (82%-94%) përkrahin politika historikisht të majta europianoperëndimore për arsimin, shëndetësinë, tatimet, ndihmën sociale dhe ndërhyrjen e shtetit në ekonominë e vendit.
- Edhe ndër të anketuarit e vetidentifikuar si të djathtë ideologjikisht, shumica dërrmuese (81%-95%) përkrahin politika historikisht të majta europianoperëndimore për këto fusha.
- Pothuaj gjysma e të anketuarve (49.3%) e konsiderojnë veten tradicionalë në jetën familjare dhe vetëm 17.8% e konsiderojnë veten liberalë (32.7% e konsiderojnë veten diku në mes). Të vetidentifikuarit si të djathtë janë më tradicionalë se të vetidentifikuarit si të majtë (58.4% kundrejt 48.6%).
KONKLUZIONE KRYESORE
- Vetidentifikimi ideologjik i qytetarëve shqiptarë përputhet në një masë shumë të madhe me vetidenfikimet ideologjike përkatëse të dy partive kryesore të vendit: shumica dërrmuese e atyre që e konsiderojnë veten të majtë kanë votuar për PS-në në zgjedhjet e fundit dhe shumica dërrmuese e atyre që e konsiderojnë veten të djathtë kanë votuar për PD-në.
- Ndër qytetarët shqiptarë, pavarësisht nga vetidentifikimi i tyre ideologjik, ekziston një konsens shumë i gjerë në favor të politikave sociale që në Europën Perëndimore konsiderohen të majta.
- Qytetarët shqiptarë me të ardhura të larta familjare janë më të prirur të votojnë për PS-në, të vetidentifikuar si të majtë, sesa për PD-në. Kjo shpjegohet pjesërisht edhe me faktin se, ndër punonjësit e sektorit shtetëror, numri i atyre që kanë votuar në zgjedhjet e fundit për partinë në pushtet, PS-në, është përpjesëtimisht më i madh se numri i atyre që kanë votuar për PD-në.
- Në vetidentifikimin ideologjik dhe në votimin e qytetarëve me banim në Shqipëri, faktori që ndikon në mënyrë të theksuar më shumë se të gjithë është ai i statusit politik të familjes gjatë periudhës së diktaturës komuniste: shumica dërrmuese e qytetarëve me prejardhje nga familje komuniste e identifikojnë veten si të majtë dhe votojnë për PS-në, ndërsa pjesa më e madhe e qytetarëve me prejardhje nga familje të përndjekura ose të përzierja nga pikëpamja e statusit politik nën diktaturën komuniste e identifikojnë veten si të djathtë dhe votojnë për PD-në.
PËRMBLEDHJE E STUDIMIT
Siç e përmendëm në fillim, vetidentifikimi ideologjik “e djathtë – e majtë” në shoqërinë shqiptare përputhet me vetidentifikimin ideologjik të partive – PS e majtë, PD e djathtë. Kjo gjen shprehje qartazi në mënyrën e votimit. Në zgjedhjet legjislative të majit 2025, ndër të ankteruarit që e identifikuan veten si të majtë, 89.6% prej tyre kanë votuar për PS-në dhe vetëm 0.5% prej tyre për PD-në dhe partitë e vogla aleate të saj. Ndër të anketuarit që e identifikuan veten si të djathtë, 73.9% kanë votuar për PD-në dhe partitë e vogla aleate të saj dhe vetëm 1.9% prej tyre për PS-në. Por, siç mund të shihet nga tërësia e tabelave të këtij studimi, ky identitet ideologjik nuk përputhet aspak me ndarjen “e djathtë – majtë” në kuptimin që u jepet këtyre termave në Europën Perëndimore, e cila, siç thamë, është hapësira klasike e kësaj mënyre identifikimi në politikë.
Para së gjithash, duhet të theksojmë se, pavarësisht nga vetidentifikimi ideologjik i qytetarëve, ekziston një konsens shumë i gjerë (82%-94%, siç del nga përgjigjjet e të anketuarve) në favor të politikave historikisht të majta europianoperëndimore për arsimin, shëndetësinë, tatimet, ndihmën sociale dhe ndërhyrjen e shtetit në ekonomi. Tri grupet e vetidentifikimit ideologjik, si të majtë, të djathtë, apo të qendrës, nuk dallohen prej njëri-tjetrit për nga nivelet e përkrahjes së politikave të tilla. Po kështu, ekziston një prirje transversale, pavarësisht nga vetidentifikimi ideologjik, në përgjigjjet ndaj pyetjes për faktorin që ndikon më shumë në gjendjen ekonomike të një personi dhe ndaj pyetjes së vetëperceptimit si liberal apo tradicional në jetën familjare. Veçse është një prirje në kah të kundërt: për pyetjen e parë, më shumë se gjysma e të anketuarve mendojnë se faktori kryesor është zotësia/pazotësia individuale, ndërsa, për të dytën, pothuaj gjysma e konsiderojnë veten tradicionalë në jetën familjare dhe më pak se një e pesta e konsiderojnë veten liberalë. Në të dyja rastet, përgjigjjet e tërësisë së të anketuarve, pavarësisht nga vetidentifikimi i tyre, anojnë nga ideologjia e djathtë në kuptimin europianoperëndimor të termit. Madje, në lidhje me të parën e këtyre dy pyetjeve, ata që e identifikuan veten si të djathtë janë më të prirur se të tjerët për të konsideruar si faktor të tillë rastësinë – çka është, në Perëndim, shpjegimi ideologjik i së majtës për gjendjen ekonomike të personave, me çka përligjet rishpërndarja e të ardhurave – dhe janë më pak të prirur se të tjerët për ta konsideruar si faktor të tillë zotësinë/pazotësinë individuale – çka është, siç thamë, shpjegimi ideologjik i së djathtës neoliberale; ndërsa të anketuarit që e identifikuan veten si të majtë janë më të prirur se të anketuarit e tjerë për ta shpjeguar gjendjen ekonomike të personit pikërisht me këtë faktor, çka do të thotë se në këtë aspekt përkojnë me ideologjinë e djathtë më shumë se të anketuarit që e identifikuan veten si të djathtë. Gjithsesi, në lidhje me faktin që përgjigjjet e këtyre dy pyetjeve kanë një prirje të kundërt me përgjigjjet e pyetjeve të tjera që u referohen treguesve të ndarjes ideologjike “e djathë – e majtë” në Europën Perëndimore, mendojmë se kjo ndodh ngaqë natyra e këtyre dy pyejteve, mund të quhet “kulturore”, ose edhe subjektive, në kuptimin e “botës jetësore” sipas Edmund Husserl-it apo të “domethënies subjektive” sipas Max Weber-it, ndërsa të gjitha pyetjet e tjera që i referoheren dallimit ideologjik janë të fokusuara në politika shtetërore të caktuara. Pra, mund të themi se, për nga treguesit ideologjikë “e djathtë – e majtë”, eksizton përgjithësisht një konsens i majtë në dimensionin socio-ekonomik të kësaj ndarjeje dhe një prirje qartazi e djathtë në dimensionin kulturor të saj, pavarësisht nga vetidentifikimi ideologjik i qytetarëve.
Atëherë, çfarë e përcakton këtë vetidentifikim ideologjik? Në këtë kontekst, na duket interesant, nga pikëpamja e raportit midis ideologjisë dhe realitetit socio-ekonomik të qytetarëve shqiptarë, një rezultat që përbën të kundërtën e këtij raporti siç paraqitet në Perëndim: të anketuarit me të ardhura të larta familjare (mbi 1500 Euro në muaj) janë më të prirur ta identifikojnë veten si të majtë (41.8% e të anketuarve të këtij grupi, kundrejt 23% që e identifikuan veten si të djathtë nga ky grup) dhe po ashtu më të prirur të votojnë për PS-në (44.3%, kundrejt 20% që votuan për PD-në). Kjo shpjegohet pjesërisht me faktin se, ndër të anketuarit e punësuar në sektorin shtetëror, ku rrogat janë përgjithësisht më larta se në sektorin privat për punë të ngjashme, numri i atyre që votuan për PS-në (20.3% e të anketuarve) është më i madh se i atyre që votuan për PD-në (vetëm 10.1%), përpos që modeli i politikave socio-ekonomike të PS-së, jo më pak neoliberal se ai i PD-së, është i atillë që, në thelb, favorizon polarizimin.
Ndërkaq, pakrahasimisht më shumë se interesi ekonomik, ajo çka përcakton vetidentifikimin ideologjik të qytetarëve shqiptarë është prejardhja familjare. Ndër qytetarët me prejardhje nga familje komuniste, shumica dërrmuese e identifikojnë veten si të majtë (72.2% e të anketuarve, kundrejt 11.3% që e identifikuan veten si të djathtë) dhe votojnë për PS-në (72.6% e të anketuarve, kundrejt 10% që votuan për PD-në), ndërsa pjesa më e madhe e qytetarëve me prejardhje nga familje të përndjekura ose të përzierja nga pikëpamja e statusit politik nën diktaturën komuniste e identifikojnë veten si të djathtë (57.5% e të anketuarve, kundrejt 18% që e identifikojnë veten si të majtë) dhe votojnë për PD-në (46.8% e të anketuarve, kundrejt 18% që votuan për PS-në).
Pra, vetidentifikimi ideologjik i qytetarëve shqiptarë nuk ka të bëjë me treguesit e dallimit “e djathtë – e majtë” sipas kriteveve europianoperëndimore. Sikurse e pamë, në lidhje me të gjithë këta tregues, në shoqërinë shqiptare ekziston një transversalitet midis grupeve të vetidentifikimit ideologjik. Po kështu, nëse shikojmë përputhjen e këtij vetidentifikimi me mënyrën e votimit, ku 89.6% e atyre që e identifikuan veten si të majtë kanë votuar për PS-në dhe 73.9% e atyre që e identifikuan veten si të majtë kanë votuar për PD-në dhe partitë e vogla aleate të saj, vërejmë edhe një të dhënë tjetër me interes: ndër të anketuarit që e identifikuan veten si të qendrës, shumica e atyre që morën pjesë në zgjedhje kanë votuar për partitë e reja. Kjo na duket shumë domethënëse: teksa ndër partitë e reja gjejmë të pranishme ideologjikisht edhe të majtën, edhe të djathtën, votimi për këto parti është një centrizëm sui generis: jo si shprehje e një ideologjie centriste, po si refuzim edhe ndaj PS-së, të identifikuar si të majtë, edhe ndaj PD-së, të identifikuar si të djathtë. Një mënyrë e tillë votimi, ku qendra paraqitet si mohim, si zbrazëti (çka e përforcon edhe e dhëna se pothuaj gjysma e të vetidentifikuarve si të qendrës nuk votuan fare), nxjerr në pah edhe më mirë zbrazëtinë e vetidentifikimit ideologjik. Nga kjo pikëpamje, Shqipëria ka mbetur aty ku ishte para tre dekadash e gjysmë, kur PS-ja, trashëgimtare e partisë komuniste, e quajti veten të majtë, ndërsa PD-ja ishte shfaqur si alternativë dhe si front i gjerë antikomunist. Në atë moment, njerëzit e lidhur me regjimin e vjetër dhe, rrjedhimisht, me trashëgimtaren e partisë komuniste, e identifikuan veten si të majtë, ndërsa ata që aspironin një ndryshim regjimi përkrahën më së shumti partinë kryesore të opozitës së atëhershme dhe e identifikuan veten kësisoj si të djathtë. Që nga ajo kohë, janë krijuar një mori partish të tjera, por të gjitha u atrofizuan shumë shpejt, ndonjëherë edhe qysh në embrion. Dhe, ndërsa PS-ja dhe PD-ja kanë pësuar ndryshime në këto tre dekada e gjysmë, inercia e mungesës së traditës demokratike dhe e patriarkalizmit politik vazhdon. *Studimin mund ta lexoni të plotë në faqen e KAS: https://www.kas.de/en/web/albanien/single-title/-/content/statistische-studie-zur-ideologischen-identitaet-in-albanien











