Nga Kristo Mërtiri
“Kur politika shkëputet plotësisht nga morali, atëhere cdo gjë është e mundur”. Nuk është ndonjë urtësi nga lashtësia. Dhe as nga gjithësia e sotme. Është një postulat i mbi 30 viteve më parë, nga Akademiku ynë i fundit Rilindas, Rexhep Qosja ! E kam të fiksuar herët në memorie. Që kur filluan dallgët e para shkumërëna të Pluralizmit Politik në Shqipërinë tonë. Dhe nuk u vjetërua asnjëherë.
Isha ende në orët e fundit të gazetës së dashur “Bashkimi”, kur disa kolegë po hidheshin me hir a pahir nëpër mediat PD-së e në gazeta të tjera opozitare. Dhe nuk më shkoi mendja kurrë se një ditë do e rrëmbenin tinëzisht jo si pronë të babait dhe do na hidhnin në rrugë ca bashibozukë të pështirë të Partisë së Punës.
Mirëpo, gati cdo ditë, shpesh paradite e pasdite, ngjiste e zbriste shkallët dy a tri një burrë shtatlartë, i hedhur, energjik, gjithnjë me një cantë në dorë, me vështrim të papërqëndruar e me baluket e ndara përpjetë mbi ballë dhe që përshëndeste nga larg e nga afër me krahun e djathtë ngritur e të shtrirë plotësisht. Kur e pashë në korridorin e Redaksisë së telikosur nga sherret vulgare, nga mendimet e kundërtë me tone të larta kundër karaktereve të fëlliqura deri në mesnatë, të jem i sinqertë, u ndjeva mirë : Ishte Doktor Berisha ! Kështu e kam thirrur vazhdimisht
Madje edhe shkrimin e parë Doktori e ka botuar te gazeta ime “Bashkimi”, ku bënte jatak ditën e natën ! Miqtë e tij kishin qenë gati tërë jetën “shefa” e më të besuarit e regjimit.
Rekomandimet dhe gjuha e nepërkës helmatisëse te Doktori, për mua personalisht, hapën ngadalë hendekun e padëshiruar…”Ai është komunist, nuk lëviz nga istikami”, ishte përgjigjur në një takim partiak në Tiranë. Dhe harroi shpejt veten, shokët e miqtë e vërtetë, të veshur e ngjeshur me rrobat e “armët” e Partisë së Punës. Më vonë, për disa pispilingë dinakë, të pabesë e të pispillosur morëm vesh nga shkresat zyrtare se ishin me spaleta e grada xixëlluese të ish Sigurimit të Shtetit (!). Dhe për mua kuturisnin si urithë se isha mbrojtës i Enverit, nuk bëhesha dot demokrat(më saktë: pëdëist). Por tani vonë jam zilepsur : Ata paskan qenë kampionë të vërtetë në mbrojtje të PP-së e Enverit, madje me grada jo dosido, bashkë me ndonjë lapërdhar të pacipë nga ish“Zëri i Popullit” !
Por një meritë nuk mund t’ia mohoj Doktorit : Këta bicimsëzë i mbajti shumë pranë dhe i ruajti deri në fund me fanatizëm…Askujt nuk ia tregova faktin që unë e kisha njohur qysh në 1983 (Korrik), në katin e dytë të Spitalit nr.1 në Tiranë, kur isha Korrespondent Profesionist me rezidencë në Sarandë. Brenda vetes nuk ndihesha keq, jo thjesht se ishte Kryetar i Partisë së parë opozitare, por mbi të gjitha si mjek kardiolog i mirënjohur. Ardhur nga malësia e Tropojës nëpër shkallët e diturisë e të shkollimit në Kryeqytet .
Jo vetëm që nuk lëvizi asnjëherë familjarisht nga Tirana, por arriti të shkonte për specializim edhe në Paris !
Vonë, në një mbrëmje ta paqtë dhjetori, pasi kisha parë me sytë e mi për herë të fundit një shkrim në shtypshkronjë, po zbrisja për të shkuar në shtëpi shkallët e katit të tretë. I lodhur e i kënaqur, po ktheja në rit të përnatshëm sidomos dy vargjet e këngës së mocme:”Moj kok’ e qenit, moj qëne,/ Nuk dite për veten tënde…”. Kolegu dhe miku im i mirë, Llazar Vero (sot nëpër humbëtirat e mërgimit të detyruar) hapte menjëherë derën e zyrës në katin e dytë dhe ia kthente bukur e me gjongul këngës. Si një përcjellje origjinale në atë qetësi mbrëmësore. Kur po dilja nga dera kryesore e Redaksisë duke vazhduar këngën, te shkallët e para përplasem befas me Doktorin që i kapërcente jo një nga një:”Më fal zotni Mërtiri, më fal !”, u përshëndetëm dhe ai hyri brenda.
Edhe ky prag 6 Dhjetori flet shumë. Dikush i preu drutë shkurt “është provë force ndaj gjykatës”. Pa pyetur për pesë risqet kryesore që lidhen me aleatët, kostot e aktivitetit politik para ndërkombëtarëve, etj. Lind pyetja: janë risqe apo brisqe? Brisqe rroje apo … Biçak i ndryshkur? Brisk berberi apo biçak çobani ?
Ndërsa një kandidate nën sqetullat e doktorit politikan, na prishi gjakun e na bëri “gjysmë njeriu”, kur u çorr e ia futi si kau pelës: “Kam qenë dhe qitëse, të kenë kujdes edhe ata që janë kundërshtarët e mi”. O Zot, ku i kanë psonisur vallë këto kungulleshka? Dhe Saliu doktor, mban iso e flet “në emër të kombit”, si politikan akshami: “Pas Enver Hoxhës është armiku më i egër i kombit shqiptar”. Uauu! Dhe nuk pushon: “Rama ka futur thika pas shpine ndaj Kosovës” …
Edhe për 6 Dhjetorin u duk ashiqare. Dhe nuk e kishte hallin për të krasitur drurët a për të prerë lulet, ose për të shartuar e gdhendur dy gishtat lart, për nder të Samitit Evropian në Tiranë. Se politikanëve të tranzicionit shqiptar u ka prerë thika “në mish të botës”! Më thoni qoftë dhe një të vetëm që e pagoi shtrenjtë ’97-ën, ’98-ën, Gërdecin e 28 qytetarëve të djegur e të pjekur për së gjalli, etj. Paskan lindur “me këmishë”! Se për veten e familjen e tyre ka mbi 30 vite që u shkon jeta si thika në gjalpë. Ndërsa njerëzia ka duruar e duron thikën e varfërisë gjer në kockë.
Doni të shikoni nesër 6 Dhjetorin tim të bukur, atje mbi Vjosë? Doni të dëgjoni cicërimat e fundit të ca zogjve shtegtarë? Doni të dëgjoni frymëmarrjen gulçuese e plot ankth të nënës time, që ngjitej bashkë me hënën si sorkadhe? Doni të prekni nga afër buzëqeshjen engjëllore dhe gëzimin e motrës së madhe fatzezë? Nuk më gëzuan dot as gjyshi e gjyshja dhe as 2 xhaxhallarët. Tre kishin mbyllur sytë përgjithmonë, gjyshi nga torturat dhe plumbat e nazistëve gjermanë dhe njëri xhaxha ishte as i vdekur dhe as i gjallë në tokën e Miçiganit … Nesër e kam ditë të shenjtë! Mjaft liderë të handakosur dhe protestues të inatosur tashmë unë i njoh nga afër. Kur ma bëjnë gogol 6 Dhjetorin, më vjen për të qeshur e për të qarë. “Po na tromaksin kalamajtë, me ultimatumet nëpër ekrane”, më thoshte dje një mëhallali tiranas. Zhurmë edhe nga kundërshtarët e tyre politikë. Përveç ditëlindjes, ty të shtuam në kalendar dy ngjarje: Samiti Europian dhe protesta paradoksale për mbrojtjen e vilave e të gjëmave pa fund e krye”…