Qytetarët e Bosnje-Hercegovinës votojnë këtë të diel, 4 tetor, në zgjedhjet e përgjithshme, një proces që konsiderohet si ndër më të ndërlikuarit në botë për shkak të strukturës politike të vendit.
Rreth 3.4 milionë qytetarë kanë të drejtë vote.
Ata zgjedhin anëtarët e presidencës trepalëshe, deputetët e Parlamentit dhe drejtuesit e institucioneve në dy entitetet kryesore të vendit: Federatën e Bosnje-Hercegovinës dhe Republika Srpska.
Sistemi politik i Bosnjes u krijua pas luftës së viteve 1992-1995, përmes marrëveshjes së paqes të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1995. Qëllimi ishte të mbahej një ekuilibër mes tre komuniteteve kryesore: boshnjakëve myslimanë, serbëve ortodoksë dhe kroatëve katolikë.
Por kjo strukturë ka sjellë ndër vite një sistem politik shumë të komplikuar, me institucione në disa nivele dhe me ndarje të forta politike e etnike.
Gjatë fushatës, partitë kryesore janë përqendruar sërish te temat e luftës, ndarjet etnike dhe tensionet politike. Kjo ka shkaktuar zhgënjim te një pjesë e qytetarëve, të cilët thonë se partitë vazhdojnë të përdorin të njëjtat tema prej dekadash.
Aktivisti Adi Selman, nga grupi protestues “Karton Revolucija”, tha se shumë parti politike vazhdojnë të kërkojnë vota duke folur për luftën, tensionet dhe ndarjet e së kaluarës.
Një nga figurat kryesore të politikës serbe në Bosnje, Milorad Dodik, deklaroi gjatë tubimit përmbyllës të partisë së tij SNSD se Bosnja-Hercegovina është një shtet që, sipas tij, nuk funksionon. Ndërkohë, në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës, partitë boshnjake kërkojnë forcimin e institucioneve qendrore dhe një orientim më të fortë drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s.
Bosnja mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në dhjetor 2022. Megjithatë, negociatat e anëtarësimit, të parashikuara për vitin 2024, janë vonuar për shkak të kërkesave të Brukselit për reforma më të forta kundër korrupsionit dhe në sistemin gjyqësor.
Një tjetër çështje e rëndësishme është reforma zgjedhore.
Partitë nacionaliste kroate kërkojnë ndryshime që, sipas tyre, do t’u japin kroatëve më shumë ndikim në zgjedhjen e përfaqësuesit kroat në presidencën trepalëshe.
Në të njëjtën kohë, Rusia akuzohet se po pengon përparimin e Bosnjes drejt Bashkimit Evropian dhe ruan marrëdhënie të afërta me SNSD-në, partinë që mbështet idenë e shkëputjes së Republika Srpska nga Bosnja-Hercegovina.
Këto zgjedhje janë gjithashtu të rëndësishme për mënyrën se si zhvillohet procesi i votimit.
Për herë të parë në shkallë kombëtare, autoritetet po përdorin verifikimin biometrik të votuesve dhe skanerë për fletët e votimit, me synimin për të ulur mundësinë e manipulimeve dhe për ta bërë procesin më transparent.
Qendrat e votimit mbyllen në orën 19:00 dhe rezultatet e para priten gjatë mbrëmjes së sotme.
Në thelb, zgjedhjet nuk kanë të bëjnë vetëm me zgjedhjen e drejtuesve të rinj. Ato lidhen edhe me një pyetje më të madhe: a do të arrijë Bosnja të kapërcejë bllokimet politike dhe ndarjet etnike dhe të përparojë drejt Bashkimit Europian?











