Nga Skënder Minxhozi/
Në 27 maj do të vijë në Tiranë kryeministri serb Aleksandër Vuçiç. E para vizitë e një kryeministri të Beogradit, pas rënies së Millosheviçit dhe luftës së Kosovës. Vuçiç vjen në Shqipëri pasi e ka shtyrë ardhjen e tij në Tiranë, nëntorin e shkuar dhe pasi mes dy vendeve janë shkëmbyer një numër jo i vogël deklaratash të ashpra.
Aleksandër Vuçiç viziton Tiranën shtatë muaj pasi Edi Rama shkeli në Beograd, në të parën vizitë zyrtare të një kryetari qeverie shqiptare në 60 vjet, si dhe tetë muaj pas incidenteve të rënda gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri. Të dyja këto evenimente lanë pas një vazhdë të gjatë tensionesh në marrëdhëniet dypalëshe, megjithëse dy kryeministrat janë takuar edhe disa herë të tjera që nga ajo periudhë, kryesisht në takime shumëpalëshe.
Axhenda e Vuçiç parasheh takime me të gjithë lidershipin institucional e politik shqiptar, por pritet që ai të marrë pjesë në “Vienna Economic Forumin”, që do të zhvillohet në vendin tonë në 28 maj. Pritet që në këto takime, kreu i ekzekutivit serb të nënvizojë qëndrimin e Beogradit për shumë çeshtje që ndajnë dy vendet. Një pozicionim që e bëri publik edhe ministri i brendshëm serb pak ditë më parë në vendin tonë, gjatë një takimi rajonal, kur i etiketoi si “terroristë” pjesëmarrësit në incidentet e Kumanovës.
Shqipëria dhe Serbia ndajnë pikëpamje diametralisht të kundërta për një listë jo të shkurtër problemesh. Vizita e Ramës në Beograd provoi se Kosova ishte kryetema e krizës së marrëdhënieve mes dy vendeve, çka pritet të konfirmohet edhe nga ardhja e Vuçiç në kryeqytetin shqiptar. Stafet diplomatike kanë siguruar se vizita e shefit të qeverisë serbe nuk do të ketë pika të nxehta dhe se Vuçiç në Tiranë pa ndonjë “as” të fshehur nën mëngë. Gjithsesi qëndrimi ndaj Kosovës dhe ngjarjet e fundit në Kumanovë, janë dy premisa që mund të ushqejnë qëndrime të ftohta, shtrëngime duarsh “me kokën anash” dhe një klimë të ngrirë takimesh.
Ardhja e Aleksandër Vuçiç ndodh në një kontekst rajonal të ngarkuar me ngjarje. Vetëm para pak ditësh, vizita në Tiranë e Erdogan ngriti një stuhi të vogël diplomatike me Athinën zyrtare, ndërkohë që situata në Maqedoni dhe shtjellimet e ngjarjeve aty, shtynë Ramën që të vendosë një veto virtuale mbi procesin e afrimit të fqinjit tonë lindor në NATO. Të gjitha këto copëza të mozaikut të trazuara ballkanik, e bëjnë vizitën e kryeministrit serb në Tiranë, një ngjarje kurioze dhe delikate për të dyja vendet, por edhe më gjerë. Aleksandër Vuçiç sjell me vete, bashkë me mundësitë e zhvillimit të marrëdhënieve të gjithanshme mes Shqipërisë dhe Serbisë, edhe kujtimet e shqetësuara të dronit që fluturoi mbi kokat e dy ekipeve kombëtare në Beograd, fërkimet “live” në konferencën e shtypit në Pallatin e Serbisë me Edi Ramën dhe faqet e para me tone lufte të shtypit të Beogradit. Shpresojmë që kjo vizitë të mos e shtojë edhe më tej këtë kujtesë ngjarjesh traumatike që kanë prodhuar dy shtete fqinje në harkun e më pak se një viti, por të shënojë një normalizim gradual të një marrëdhënieje ende komplekse e plot të panjohura, por që nuk ka pse të mos e gjejë shtratin e vet të normalitetit e zhvillimit. Megjithëse Ballkani duket një det përjetësisht i trazuar, Vuçiç dhe Rama kanë në dorë pjesën e tyre të kontributit, që dallgët të qetësohen qoftë dhe pjesërisht. Duke bërë më së pari që vizita e 27 majit të mos jetë më një “provokacija”.