EKSKLUZIVE/ Jorida Tabaku, deputete e PD-së, njëkohësisht edhe një njohëse shumë e mirë e politikës së jashtme dhe e e politikave ekonomike ndërkombëtare, në një intervistë ekskluzive për Javaneës, analizon çfarë ndodhi në Britani në këto orët e fundit, përse britanikët votuan për të mos qenë më pjesë e BE-së, cilat janë pasojat për vetë Britaninë të këtij vendimi, dhe cilat do të jenë pasojat në planin ekonomik dhe politik për BE-në. Sipas saj, edhe Shqipëria do të përballet me pasojat e këtij vendimi, kryesisht në aspektin e buxheteve familjare. “Rënia e sterlinës angleze do të sjellë edhe rënien e remitancave që për një ekonomi të pastrukturuar si e jona përkthehet në më pak para për shqiptarët”, shprehet Tabaku.
Referendumi në Britaninë e madhe i tha “jo” vijimit të mëtejshëm të projektit të ëndrrës së një Europe të Bashkuar për britanikët? Cfarë ndodhi?
Ndodhi ajo që mbështetësit e një Europe të Bashkuar nuk e dëshironin! Fitorja e BREXIT sot është një ogur i keq së pari për ëndrrën e një kontinenti të bashkuar dhe së dyti krijimin e një situate pasigurie financiare dhe politike.
Përse ndodhi BREXIT?
Duke lënë me një anë historinë e vështirë mes Britanisë dhe BE-së, vota në referendum dëshmoi, se ishte një votë zhgënjimi e moshës së tretë, të varfërve dhe punëtorëve që jetojnë jashtë Londrës apo qyteteve të mëdha, kundër establishmentit dhe efekteve të globalizmit si dhe të emigracionit.
Cilat do të jenë efektet?
Ajo çfarë ka sjellë ky referendum do të ndjehet për një kohë shumë të gjatë, së pari sepse kryeministri Cameron ka dhënë dorëheqjen duke deklaruar se nuk do të angazhohet në diskutimin me BE sa i takon artikullit 50 që lidhet me daljen prej saj. Kështu në Tetor të këtij viti Partia Konservatore duhet të zgjedhë liderin e saj të ri dhe gjithashtu kryeministrin e ri të vendit që do të angazhohet me debatin mbi daljen nga BE, pra zbatimin e artikullit 50. Kjo marrëveshje, pra dalja nga BE, mund të zyrtarizohet minimalisht në fund të 2 viteve, por të mos harrojmë që edhe BE do të luajë gurët e saj për të dëshmuar një unitet përballë kësaj sfide. Ajo ka kërkuar që sot përshpejtimin e aplikimit të artikullit 50 nga Britania.
Cilat janë rreziqet? A mbaron këtu drama?
Një tjetër rrezik i BREXIT, që natyrisht ndikon, është jo vetëm problemi i forcave ekstreme nacionaliste, por edhe vetë ndarja e Mbretërisë së Bashkuar. Nicola Sturgeon, kryetarja e Partisë Nacionaliste Skoceze, ka deklaruar përpara disa çastesh se po rishikon mundësinë për një referendum tjetër të Skocisë. Kjo kërkesë e saj do të argumentohet si pasojë e votave që skocezët kanë dhënë pro qëndrimit në BE sikundër edhe Irlanda e Veriut dha të njëjtën votë dhe mund të kërkojë largimin. Në Belfast, Martin McGuiness, ka kërkuar një referendum për bashkimin e Irlandave në një të vetme. Forcat e ekstremit të djathtë në vende të ndryshme të Evropës kanë nisur një rrugëtim për të ndjekur Britaninë në daljen nga BE. Në pak fjalë, duket se stabiliteti politik i BE është i minuar përballë kësaj humbjeje.
Po në planin ekonomik cilat do të jenë efektet?
Në aspektin financiar, tregjet globale kanë pësuar një rënie, kurse vetë bursa e Anglisë ka pësuar rënien më të madhe në 30 vitet e fundit. FTSE, që është edhe portofoli më i rëndësishëm në London Stock Exchange, ka pësuar një rënie me 8.7 % duke qenë më ulët se sa falimentimi i LehmanBrothers në SHBA gjatë krizës. Europa gjithashtu ka humbur një anëtar me peshë duke qenë se Anglia kishte një peshë të konsiderueshme sa i takon GDP-së së saj në BE.
Po për Shqipërinë cilat pritet të jenë efektet?
Sa i takon Shqipërisë një lajm i tillë është një goditje e rëndë jo vetëm për shpresën e një Europe të Bashkuar në kërkim të prosperitetit të përbashkët. Por mbi të gjitha edhe si një mundësi për të qenë pjesëtare në një federatë të përbashkët ku ndasitë nuk do të ishin problemi por forca për të na çuar përpara. Dukshëm Brukseli tanimë do të jetë i angazhuar për të zbutur gjithnjë e më shumë forcat nacionaliste që duan shpërbërjen e tij. Procesi i integrimit do të vështirësohet dhe nuk do jetë më vëmendja e disa viteve më përpara duke qenë se “pasiguria është armiku i rritjes”.
Po në planin ekonomik cilat do të jenë ndikimet e këtij referendumi?
Nga ana financiare, BREXIT do të ndikojë drejtë për drejtë në xhepat e shqiptarëve, të cilët kanë familjarë të tyre në Britani. Rënia e sterlinës angleze do të sjellë edhe rënien e remitancave që për një ekonomi të pastrukturuar si e jona do të përkthehet në më pak para për shqiptarët. Ky është impaktikryesor në vendin tonë, duke qenë se investimet angleze nëvendin tonë janë thuajse inekzistente.
A mund të shihet kjo situatë vetëm bardh e zi?
Në fakt dëshiroj të shohim dhe pak dritë në fund të tunelit. Siç edhe kryeministri David Cameron u shpreh në fjalimin e tij; Britania dëshmoi se është një vend me demokracinë më funksionale. Kryeministri premtoi për një referendum, premtim të cilin e mbajti dhe pasi populli foli ai nuk mbajti mëri ndaj tij. Pranoi zgjedhjen dhe u largua nga posti duke dëshmuar se demokracia nuk është çështje fjalimesh, por mbi të gjitha veprimesh. Kohët janë të vështira, por shpresoj që BE, por edhe Britania, të gjejnë forcat për t’u përballur me problemet që e shtynë në këtë ditë që shumë pak prej nesh e besonin disa vite më parë.
Bisedoi Armando Meta