Nga Lorenc Vangjeli
Nuk ka ndodhur ende, por do të ndodhë. Ndërkohë që gjithë Shqipëria zjen se çfarë i tha Merkel Ramës dhe nëse Saimiri ishte në mes të Ramës dhe Merkelit në Berlin;
ndërkohë që në Tiranë edhe Doktori, edhe pacientët e tij në partinë demokratike duartrokasin me zemër të dridhur një dështim të mundshëm të Shqipërisë për atë muhabetin e negociatave me Evropën;
ndërkohë që Basha ka mbledhur mendjen se për t’u bërë kryeministër nuk është e nevojshme të fitojë ai, por mjafton të humbë kryeministri aktual;
ndërkohë që Ben Ahmetaj e ka lënë pa zë një kumri që këndon bashkë me Erion Braçen për tatime futbolli;
ndërkohë që Pandi Majko firmos si ministër në qeverinë e dytë të ish-ministrit të tij kontravers në qeverinë e tij të parë të luftës;
ndërkohë që njerëzia ende vë bast nëse LSI e do lali Erin për inat të lali Edit apo dashuria e kthyer në urrejtje është një lojë jete e vërtetë e politikës që nuk ka as dashuri dhe as urrejtje, por vetëm interesa dhe se interesi i PS-së dhe PD-së për pushtetin ka kushtëzuar marrëdhënien treshe me LSI-në;
ndërkohë që reforma në drejtësi është bërë si patatja në komunizëm, edhe bukë, edhe gjellë për shpresën e cilitdo që nuk i pëlqen e sotmja;
ndërkohë që ka një bindje të bardhë se një listë e zezë e Departamentit Amerikan të Shtetit do të zgjatet aq sa të shkurtojë një dy dyzina me karriera politike;
ndërkohë që të enjteve beteja e pulteve të televizioneve shpërthen më e egër se të enjtet e parlamentit ku ca burra bëjnë si gra të liga dhe ca gra sillen si burra të ligj;
ndërkohë që nga personazhe barsaletash dikur nën komunizëm, njëlloj si kolegët e tyre në të gjithë botën, sot policia shqiptare është personazh vetting-u për të dëshmuar xhepat;
ndërkohë që një kastravec me makinë sportive, me qafë me rrudha, me investime të rëndësishme në ndërtimtari, me disa vjet shkollë jete në Zvicër, Gjermani apo Itali dhe me diplomë të kristaltë meriton shumë më shumë respekt se profesorë universiteti nga ata të dikurshmit;
ndërkohë që prostitutat recitojnë për moral dhe pleshtat si rregull nuk kruhen kurrë;
ndërkohë që modele me përmasa plastike, këngëtare me zë kompiuteri, Pjeshka që flasin për politikë dhe politikanë që sillen si Pjeshka, kanë vijuar që prej dimrit turin e fotografive në plazhe të nxehtë bashkë me biznesmenë me sera Cannabis-i, atlete te kuqe me pafta metali dhe xhupa me shkëlqim, gjykatës të varfër me dhurata bujare fqinjësh, njerëz të akuzës që rënkojnë nën akuzë, aktorë me regjizorë politikë dhe regjizorë artistë me politikanë si aktorë të dorës së tretë;
ndërkohë që xhelozia është bërë përfundimisht si punë topi që ka ngrënë shumë më pak kokë edhe se ajo gjëja që shkaktoi luftën Greko-Trojane dhe e vërtiti Odisenë nëpër Egje në emër të dashurisë;
pra,
ndërkohë që Shqipëria jeton ditët e saj të rrëmujshme duke konsumuar histori drithëruese dhe komente shterruese, a thua se është një vendi 310 milionësh si Amerika, a thua se është një vend në ekspansion si Kina, a thua se kërkon rikthim si Rusia dhe a thua se kërcënon të bëjë gjëmën në të gjithë dynjanë si Koreja me raketa, PERMBYTJA E SHKODRES është aty! Bashkë me të edhe përmbytja e Lezhës, Vlorës, Fierit dhe gjithë Ultësirës perëndimore.
Kudo ku ka një lumë në Shqipëri, do të ketë një tokë të përmbytur dhe qytetarë të kërshpëryer që i ngrenë gishtin me kërcënim zotit në qiell dhe zotit të fateve të tyre në tokë për ta vënë nën akuzë për ujin dhe për t’u kërkuar hesap për hesap të xhepit të hyrë në ujë.
Secili, qeverisës dhe i qeverisur, me ngulm dhe dhembje pule që ndjen se i shket veza në të dalë, zë e mallkon Perëndinë dhe pafuqinë e tij për të ndëshkuar vetë Perëndinë.
Nuk duhet të ketë zgjim më të tmerrshëm se mëngjezi me ujë të ftohtë që ka përmbytur deri tek këmbët e shtratit.
Nuk duhet të ketë makth më të rëndë se dita kur tarraca me zift të zi e shtëpisë të jetë shndërruar në një ishull në mes të ujrave.
Nuk duhet të ketë mallkim më të frikshëm nata e rrethuar nga uji me bindjen e lodhur se edhe mëngjezi që gdhin më pas dhe ngrysja tjetër do të jetë e njëjta dramë: nën mbretërinë e ujrave të dimrit! Kështu do të ndodhë këtë dimër të 2018 në Shkodër dhe gjetkë. Bukuria e mallkuar e triadës së artë mes Drinit, Bunës, Kirit dhe liqenit me të njëjtin emër, do ta ndëshkojë sërish qytetin e Rozafës. Dhe do ta bëjë vit mbas viti deri sa njeriu i ri kapitalist shqiptar të kuptojë sesa absurd është ai në raport me natyrën. Sa ka gabuar kur ka rrëmbyer sharrën për të prerë degën ku është ulur. Sa naiv është treguar kur ka menduar se hakmarrja është pronë vetëm e qënieve humane dhe se lumenj e pyje, tokë e det nuk mund të hakmerren dhe të kthehen për t’i treguar vendin atyre që ju kanë zënë vendin. Kush harron është i dënuar ta provojë sërish. Dhe sot, në Tiranë, Shkodër dhe gjetkë të gjithë kanë harruar se Shkodra dhe përtej kanë qenë nën mëshirën e ujrave dhe të lumenjve.
Lumenjtë nuk janë në moshë adoleshentësh që të kenë ereksione të pakontrolluara dhe derdhje të pavetëdijshme. Janë siç kanë qenë. Nuk kanë ndryshuar ata, por është shtuar babëzia e njeriut shqiptar nga jugu në veri që tashmë duhet të paguajë për pasojat.
Do të paguajnë të qeverisurit dhe qeverisësit. Do të paguajë gjithë shoqëria shqiptare e cila gjykon me lehtësinë e një adoleshenti, është e vrullshme si një adoleshent dhe e papërgjegjshme për të nesërmen e përbashkët më keq se një adoleshent që nuk mendon më larg se çasti që porosit kafen.
Të gjitha palët, tani që është vapë kanë zënë të mendojnë për plazhin dhe kanë harruar një të vërtetë të thjeshtë: përmbytjet janë pas derës. Do të rifillojnë sërish në dimër, pavarësisht se sa volt do ta ketë inatin me qeverinë Voltana dhe sa do t’i hajë gjuha Edit për t’u tallur me voltët opozitarë të Voltanës.
Do të rifillojë sërish për të kuptuar se helli me të cilin shoqëria shqiptare ka pjekur qiqrrat e babëzisë nuk është djegur, por ka zënë vend aty ku dhemb më shumë. Dhe nëse nuk ka ndodhur, do të ndodhë.
a.ç