2 mijë euro një nuse shqiptare, ja si mashtrohen beqarët maqedonas
Beqarët maqedonas nga fshati malor German në kufi me Serbinë kanë humbur shpresat për ta gjetur shpirtin e tyre binjak. Fshati me më pak se 200 banorë ka rreth 40 beqarë të moshuar, të cilët akoma nuk kanë arritur të martohen.
“Problemi është se këtu nuk ka femra, nuk ka nuse. Femrat nga rajonet e tjera nuk duan të jetojnë këtu për faktin se pos një shitoreje të vogël nuk ka asnjë tjetër. Pastaj disa kërkojnë para dhe shtëpi të bukura. I kuptoj kërkesat e tyre”, thotë Tihi Stojanovski.
Të njëjtin mendim ndan edhe Voja Stanisavlovski, 40 vjeç, i cili jeton duke prerë drurë dhe mbledhur kërpudha. “Germani është vend i keq. Mundësitë janë shumë të vogla për t’u martuar. Si të martohesh kur nuk ka vajza. Për këtë arsye, për çdo ditë banorët po e braktisin këtë fshat, i cili rrezikon të shuhet”, thekson ai.
Ata gjithashtu tregojnë përvojat e hidhura të tyre me vajzat e reja nga Shqipëria. “Kemi rënë në kontakt me ndërmjetësues që ofrojnë femra shqiptare. Kemi shkuar në Shqipëri, i kemi parë femrat dhe jemi vendosur për to. Pasi kemi paguar shumën prej 2000 eurosh, na kanë sjellë femra tjera të moshuara dhe të shëmtuara. Kemi refuzuar, por paratë nuk na janë kthyer”, thonë beqarët maqedonas. Në këto rrethana, ata thonë se kanë hequr dorë nga kjo mundësi.