Nga Lorenc Vangjeli
Edi Rama e ka shumë për zemër të përmendë shpesh aksiomën e vjetër se gënjeshtrat më të mëdha janë gjysmë të vërtetat. Në ndeshjen me opinione mbi faktet, gjysmë të drejtat shpesh konkurrojnë me të njëjtin status e gjakim drejt të vërtetës me gjysmë të drejtat e tjera. Aq më tepër, që kur në debat janë ushqyer emocionet, logjika e ka të vështirë të dëgjohet. Në betejën e Ramës me protestuesit, gara mes gjysmë të drejtave, megjithatë nuk ka simetri.
Rama ka të drejtë kur thotë se një investim prej 4 miliardë eurosh në Zvërnec është një bekim për Shqipërinë. Por kanë të drejtë edhe protestuesit kundër tij që thonë se histori miliardash që vërshojnë drejt Shqipërisë janë po aq të vjetra sa luga e florinjtë e komunistëve të djeshëm dhe çeku i bardhë i ish-demoratëve të sotëm.
Rama ka të drejtë kur përmend markën Trump si garanci suksesi dhe jo vetëm për investimin konkret. Miqësia, por dhe interesi me njerëzit e fuqishëm të kësaj bote të padrejtë, shpesh vlejnë shumë më shumë se lumenjtë e parave. Por kanë të drejtë edhe kritikët e tij kur thonë se me bijën dhe dhëndrin e Presidentit Trump Rama është nisur të blerë influencë vetjake për pushtet vetjak.
Rama ka të drejtë kur thotë se ka kërkuar respektim maksimal të ekosistemit delikat të Zvërnecit, por kanë gjithashtu të drejtë edhe protestuesit kur mund të sjellin me dhjetra shembuj sesi ka ndodhur ekzaktësisht e kundërta, kur “pika e voçkël” është shndërruar në humnerën që batërdis zona të mbrojtura, qëndra qytetesh apo periferi të tyre.
Rama ka të drejtë kur thotë se raporti i investitorëve me pronarët legalë të tokës është një marrëdhënie private, ku shteti nuk hyn hiç, por është e drejta e plotë e protestuesve ta kontestojnë një gjë të tillë, kur kujtojnë masakrën e frikshme që ka ndodhur me dekada në Shqipëri me pronat, me falsifikimet, dramat, ligjin e instaluar të xhunglës që e ka shndërruar vecanërisht bregdetin shqiptar në një parajsë të atyre që e transportojnë cash-in së paku me furgona. Që konkretisht në Vlorë drejtorët e kadastrës janë ndërruar shumë më shpesh se qimet e ujkut dhe që zakoni e desh edhe këtë herë, që edhe aty të mbijë një personazh kontravers si pronar. Sikur të ketë qenë nip i vetëm i Ali Pashës, ish-pronar i Tepelenës, i jugut të Shqipërisë dhe veriut të Greqisë.
Rama ka të drejtë kur kërkon të mos paragjykohet një investim kolosal, por kanë të drejtë edhe kundërshtarët e tij që i kujtojnë pusetat e shumta të hapura gjatë qeverisjes së këtij vendi.
Ka një rresht të pafundëm kontrastesh të tilla që po i afron bujarisht ky skaner i hidhur spontan që po i bëhet shoqërisë shqiptare. Ai është dëshmia që tregon se problemet e krijuara janë shumë më shumë sesa zgjidhjet e afruara. Se sukseset e duartrokituara tkurren përballë dështimeve spektakolare. Varësisht ngjyrës së votës dhe bindjes, publiku është i lirë të zgjedhë se cilën gjysmë të drejte pranon.
Fatkeqësisht ky skaner tregon dëshmon gjithashtu një hall shumë më të madh. Ai tregon me gisht raportin e deformuar mes vullnetit të individit që ka shumë më shumë pushtet se ai për të cilin është votuar dhe vetë sistemit që kontrollon e balancon pushtetet. Eshtë kontradikta mes udhës së lehtë që ka për vendimmarrje, për shembull emiri i Katarit dhe udhës së vështirë që kalon mes institucioneve, debatit dhe kompromisit të një drejtuesi shteti evropian.
Pikërisht për këtë shkak Rama sot është në syrin e ciklonit. Helmi i mbledhur në ndërgjegjen e qytetarëve që ndihen të papërfaqësuar. të përjashtuar, të diskriminuar, herë të tallur me lezet e herë të goditur dhunshëm, të ekspozuar përpara zgjidhjeve me dy standarte, të detyruar të jenë të polarizuar, të shtrënguar të jenë dëshmitarë luksi të harbuar teksa numërojnë lekët e mbijetesës, që ndjehen të përfaqësuar vetëm nga vullneti i ca pak individëve e që detyrohen të votojnë për meme qesharake që t’i udhëheqin në politikë, i ka bërë ata bashkë në protestë. Shqiptarët janë si susta. Durojnë gjatë, përkulen dhe duken si të shtypur kur ju ve këmbën sipër, por në momentin që këmba lodhet, atëherë kërcejnë në mënyrë të pakontrolluar. Kush i mendon të nënshtruar dhe pa nerv bën gabimin e jetës! Aq më shumë që sikudo në botë, “dashuria” për politikën dhe politikanët është e përkohshme, ndryshueshme dhe vetëm një fije e ndan nga urrejtja.
Dhe kjo është vetëm pjesa më e dukshme e asaj që po ndodh në këto orë dramatike. Mëria e fqinjëve për një nukël të mundshëm të turizmit elitar tek ish-fqinji i frustruar nga varfëria nuk është thjesht teori konspirative. Në rast të ndryshimit të balancave në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, në Kongres dhe Senat, Zvërneci dhe lidhjet e biznesit të bijës dhe dhëndrit të Presidentit, me të gjitha gjasat do të jenë një kalë beteje mes demokratëve dhe republikanëve. Dhe Shqipëria e vogël do të behet fushëbeteje e interesave të paimagjinueshme në vendin që qeveris gjithë botën.
Tashmë Rama tashmë ka nevojë vetëm për kohë. I nevojitet kohë që të kalojë së paku qershorin sepse në korrikun e gushtin përvëlues shqiptar, si rregull pa përjashtim, ftohen edhe pasionet më të nxehta të shqiptarëve. Deri atëherë do të ketë plot kohë të mendojë se minjtë largohen të parët kur anija nis e merr ujë. Edi Rama, drejues i maxhorancës socialiste, e di mirë se e ka mbushur anijen e tij plot me miushë të padobishëm, të pangopur, hilacakë e vanitozë, të cilët do të ishin personazhe të lezetçëm në drekadarka gazmore, por krejt të paaftë të bëjnë beteja për bindje politike. Dhe mbi të gjitha, deri atëherë kryeministri Rama do të ketë kohë që të reflektojë edhe për një të vërtetë të frikshme e të pandryshueshme: P…rdha e madhe eshte armiku më serioz i pizhameve të mëndafshta!











