Ambasadori britanik: Vështirë ta shkëputësh këtë lidhje, njerëz në të dyja anët e përdorin për interesat e veta
Nga Luljeta Progni
“Reforma në drejtësi është hapi i detyruar për Shqipërinë për të bërë hapa përpara në integrimin evropian”. Kështu deklaron ambasadori britanik në intervistën për TemA Tv. Ai thekson se miratimi i reformës në drejtësi nuk mjafton, por zbatimi i ligjit është vendimtar për ecjen përpara drejt integrimit. Ambasadori britanik flet për frikën e politikës nga reforma në drejtësi dhe lidhjen e saj korruptive me gjyqsorin. Cannon thekson se reforma në drejtësi kërkon debat publik por edhe koha për ta realizuar këtë është e kufizuar. Për dekrminalizimin ai thekson se është një çështje politike dhe jo ligjore. Kjo do të thotë se nuk ka nevojë për një ligj për të pastruar politikën, mjafton që të inkriminuarit të mos kandidaohen për poste publike. Vlerësimi për ligjin e pronave, për 100 gjyqtarët e korruptuar, për artikujt në mediat britanike për Shqipërinë, për reformat e qeverisë si dhe për rolin e opozitës në këto dy vite, ndiqni intervistën ekskluzive të ambasadorit Nicolas Cannon në TemA Tv.
Zoti Ambasador! Reforma në drejtësi është çështja kryesore që po dominon skënën e debateve politike për muajt e fundit. Po e nis me një citim tuajin që lidhet me korrupsionin në sistemin gjyqsor.Ju jeni shprehur se: “Brenda gjyqësorit ka një kastë gjyqtarësh të korruptuar që veprojnë në grupe dhe nën dritën e diellit, e për këtë krenohen, duke blerë e shitur drejtësi. Janë rreth 100 të tillë në gjyqësorin shqiptar, një hetim i fortë në këto kushte është bërë i pashmangshëm”. A mund të na thoni më shumë, si nga vjen ky informacion për këta 100 gjyqtar, nga kush është hartuar lista?
Qartësisht nuk është roli i ambasadës të kryejë hetime apo të hartojë lista të tilla. Ky vlerësim vjen nga një sërë bisedash brenda sistemit gjyqësor. Mirëpo, askush nuk më ka thënë që ky vlerësim është i pasaktë dhe mendoj se ka një konsensus që kjo është një nga format e problemit me të cilin shqiptarët por edhe ndërkombëtarët përballen sa i përket sistemit gjyqësor.
Përgjatë 25 viteve, sistemi i drejtësisë ka vepruar brenda “gardhit” të tij, në të njëjtën mënyrë edhe politika. Janë dy pushtete të cilat parimisht janë të pavarur nga njëri-tjetri por që duket se ka pasur varësi të vazhdueshme mes tyre, madje një marrëveshje mes tyre për të mos cënuar asnjëra palë tjetren. Përmes kësaj marrëvshje është prodhuar kaq shumë korrupsion sa sot jemi në një situatë kur perceptimi për drejtësinë është: “një sistem i kalbur në korrupsion”. Sa mendoni se politika dhe drejtësia do të bashkëverpojnë për të thyer muret e korrupsionit që po e mbajnë peng zhvillimin e Shqipërisë?
Unë mendoj se ka padyshim një lidhje mes korrupsionit në sistemin politik dhe atij në gjyqësor. Këtu e kam fjalën jo vetëm për korrupsionin në kuptimin e tij më të qartë, por edhe për shkëmbimin e influencave në të dyja drejtimet. Kjo është diçka që duhet të ndryshojë dhe ju keni të drejtë kur thoni se është shumë e vështirë ta shkëputësh këtë lidhje pasi ka njerëz në të dyja anët që duan ta përdorin për interesat e veta. Unë mendoj se pa reformën në drejtësi, Shqipëria nuk mund të përparojë më tutje si përsa i takon zhvillimit kombëtar, por edhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Deri më tash, vendi e ka patur të mundur të ecë përpara deri në një farë mase, por tanimë Shqipërisë vërtetë i nevojitet një gjyqësor i pavaruar dhe i çliruar nga kapja politike dhe kjo është koha e duhur për t’i adresuar këto probleme.
Tashmë ka një draft të ekspertëve të nivelit të lartë si dhe opinionet e ekpsertëve të dy partive, PS dhe LSI. Do të jetë Komisioni i Venecias i cili do të japë opinionet përfundimtare për këtë material. Ju e keni ndjekur me siguri ecurinë e këtij drafti. Ju duket se është më i miri i mundshëm për të çuar deri në fund reformën në drejtësi në Shqipëri?
Mendoj se ky është një draft shumë i mirë, është një dokument i plotë. Disa nga ekspertët më të mirë ligjorë në Shqipëri, të asistuar edhe nga misionet e huaja si për shembull OPDAT i Shteteve të Bashkuara dhe Euralius i BE-së kanë punuar për një kohë të gjatë për hartimin e tij. Gjithashtu ka patur komente shumë interesante e të vlefshme nga opozita dhe nga Ministria e Drejtësisë dhe natyrisht edhe nga vetë Komisioni i Venecias. Kështu, ndonëse nuk ka asnjë reformë që të jetë e përsosur, në tërësinë e këtyre komenteve mendoj se ka material të mjaftueshëm për ta vendosur këtë reformë në drejtimin e duhur. Por si me çdo reformë tjetër, çelësi është zbatimi. Pra, nuk është thjesht çështje e miratimin të legjislacionit të duhur e më pas të harrohet; ajo duhet të zbatohet dhe të kthehet në realitet ligjor e politik.
Zoti Aambasador! Duket se ka pasur dhe ka përpjekje për ta zvarritur reformën në drejtësi pasi mungon konsensusi politik ndërkohë që ka zëra nga politika se pa konsesnsus nuk do të ketë reform në drejtësi. Mendoni se ka pjesë të politikës që i tremben kësaj refome. Në fund të fundit sa besoni ju se kjo reform në drejtësi do të mund të të shkojë deri në ndëshkimin e njerzve me profil të lartë politike në Shqipëri?
Është e vërtetë që klasa politike ka shfaqur shqetësime në lidhje me këtë reformë. Disa prej tyre janë shqetësime të ligjshme, ndërsa të tjera pasqyrojnë interesa personale. Ka dy teori rreth këtij procesi. E para është që ekspertët shqiptarë dhe ata të huaj janë në një pozicion më të mirë për të hartuar dokumentin ideal. Mirëpo, është po ashtu e vërtetë se një reformë kushtetuese duhet t’i nënshtrohet debatit politik. Pra, është e arsyeshme që palët të dëshirojnë të thonë fjalën e tyre sa i përket funksimit të reformës. Është një debat i ligjshëm. Nga njëra anë ka njerëz që mendojnë se duke qenë se kjo është një reformë e rëndësishme duhet t’i kushtojmë kohën e duhur diskutimit të saj. Por nga ana tjetër, së pari duhet ruajtur ritmi i reformës; me të ngadalësuar apo ndaluar ritmin, atëherë do të jetë shumë e vështirë për t’ia rinisur punës sërish. Së dyti, ka kufizime që lidhen me ciklin politik; është shumë e vështirë të diskutosh për çështje të një rëndësie të tillë gjatë një periudhe zgjedhore. Vetë cikli zgjedhor imponon një lloj ritmi dhe ambicieje për miratimin e reformës në drejtësi brenda verës së këtij viti, çka krijon një presion kohor. Për ndërmarrjen e reformave të këtyre përmasave sigurisht që nevojitet një përfshirje e debat sa më i gjerë i mundshëm. Duhet thënë se që nga fillimet e saj, kjo ka qenë një reformë parlamentare, pra e hapur ndaj të gjitha palëve. Thënë kjo, një reformë nuk duhet bllokuar për arsye politike që nuk kanë të bëjnë me vetë reformën. Shqipëria ka një historik bllokimi apo vonimi reformash për arsye që nuk kanë lidhje me vetë reformat, por që kanë të bëjnë me interesa më të gjera partiake.
Kanë kaluar pesë vite prej 21 janarit, dita kur u vranë në shesh katër protestues, në protestën kundër qeverisë së athershme. Ata për të cilët u organizua ajo protest janë sot në mazhorancë, ata të cilët akuzohen se urdhëruan vrajsen e katër protestuesve janë në parlament. Pra të gjtiha palët janë mjaft komod në politikë të qetë duke drejtuar vendin dhe askush nuk ka marrë përsipër vrajesn e katër qytetarëve. Kjo çështje është product I mungesës së drejtësisë në Shqipëri dhe ata që do të duhet ta bëjnë reformën në drejtësi janë të implikuar edhe në këtë ngjarje..?
Ajo çka ndodhi më 21 janar ishte një ndër ngjarjet më tronditëse dhe tragjike në historinë e vonë të Shqipërisë dhe është e rëndësishme që hetimi t’i shkojë ngjarjeve deri në fund, për të kuptuar si ndodhi, për të zbuluar personat përgjegjës dhe pastaj për të ndërmarrë veprimet e duhura. Është e rëndësishme pjesërisht sepse familjarët e atyre që humbën jetën, me të drejtë kërkojnë që drejtësia të vihet në vend për të dashurit e tyre. Por hetimi i çështjes është i rëndësishëm gjithashtu për të garantuar që ngjarje të tilla të mos ndodhin më. Këto ngjarje mund të shamngen vetëm nëse çështjes i shkohet deri në fund, nëse ka një hetim rigoroz dhe nëse përcaktohet përgjegjësia për çka ndodhi. Edhe pas pesë vitesh, 21 janari mbetet një ngjarje aktuale, e cila duhet adresuar në kohë.
Britania e Madhe ka asistuar Shqipërinë në procesin e reformimit të drejtësisë përmes fondacionit “Slyn” dhe Ambasadës. Sa efekte pozitive ka sjellë kjo asistencë e juaja për drejtësinë në Shqipëri?
Mendoj se ky ka qenë një input pozitiv, të cilin ne jemi krenarë që e kemi mundësuar. Ne kemi kontribuuar në trajnimin e juristëve, në punën e shkollës së Magjistraturës, në reformën e profesioneve të lira ligjore dhe të Gjykatës së Lartë. Por thelbi i këtij procesi tani është reformimi i thellë dhe i plotë i vetë gjyqësorit. Ne kemi dhënë një kontribut modest në të. Por unë mendoj se përfundimi i suksesshëm i reformës në drejtësi do të garantojë mundësi për reformim në të gjitha nivelet, do të përmirësojë standardet në të gjitha nivelet e degët e ndryshme të profesioneve juridike.
Ndërkohë, kriminalizimi i politikës është një ndër problemet e mëdha me të cilat është përballur politika shqiptare kryesisht këto dy vitet e fundit. Sa besoni se ligji për dekriminalizimin do ta pastrojë politikën dhe administratën?
Legjislacioni në lidhje me këtë është një hap në drejtimin e duhur. Më është dukur gjithnjë i pavend fakti që persona të dënuar për krime të rënda janë për shembull, në krye të bashkive. Por ligji në vetvete nuk mendoj se është zgjidhja; ky është më së shumti një problem politik dhe jo ligjor. Mendoj se problemi me kriminalizimin e politikës do të zgjidhet kur partitë të mos propozojnë më kandidatë me rekorde kriminale. Dhe ky është një vendim politik- nuk lypset një ligj për të mos e bërë këtë. Në mënyrë të ngjashme, edhe zgjedhësit nuk duhet të votojnë më për kandidatë të tillë. Si shtetas shqiptarë, në rast se ju ofrohet një kandidat me rekorde kriminale, ju nuk keni pse votoni për të. Pra, në një kuptim është një çështje politike më shumë sesa ligjore. Dhe është një çështje qëndrimesh shoqërore dhe partiake. Mendoj se problemi i kriminializimit të politikës në Shqipëri do të zbehet me ndryshimin e qëndrimeve shoqërore e partiake.
Zoti Ambasador! Një ndër problemet thelbësore të Shqipërisë në këto 25 vite, është çështja e pazgjidhur e pronave. Ju shpesh jeni shprehur për domosdoshmërinë e zgjidhjes së këtij problemi. Tashmë ka një ligj të miratuar nga Kuvendi. Nëse jeni në dijeni ju duket se ky ligj e zgjidh çështjen e pronave në Shqipëri, për t’i hapur më pas rrugë investimeve të huaja përfshi këtu edhe ato britanike?
Nuk jam i sigurt që ky ligj do sjellë zgjidhjen përfundimtare të problemit të pronave, e cila është një çështje shumë e ndërlikuar dhe e vështirë, trashëguar nga diktatura dhe që nuk është adresuar asnjëherë në mënyrë të mirëfilltë. Megjithatë kjo çështje është thelbësore për thithjen e investimeve të huaja në vend, kryesisht në fusha si turizmi. Fakti që kjo çështje po shqyrtohet dhe se legjislacioni në lidhje me të po ecën përpara është pozitiv, por mbeten ende gjëra për t’u bërë; ligje dhe institucione të tjera, implementimi por mbi të gjitha një seri vendimesh të drejta në këtë fushë. Kjo do të kishte një efekt shumë të madh në tërheqjen e investimeve të huaja në sektorë kyç si turizmi dhe bujqësia.
A janë rritur investimet britanike në Shqipëri gjatë këtyre dy viteve apo ka ndodhur e kundërta?
Investimet tona nuk janë rritur ashtu siç do të kishim shpresuar. Investimet e kompanive ekzistuese në vend nuk janë rritur siç do të donim dhe ne nuk kemi investitorë të rinj në tregun shqiptar. Flas veçanërisht për sektorin e turizmit, ku investitorët britanikë janë tepër aktivë në Greqi dhe Malin e Zi, por jo në Shqipëri. Arsyeja për këtë mendoj se janë shqetësimet e lidhura me sundimin e ligjit. Një pjesë e këtyre shqetësimeve janë perceptime të padrejta, por pjesa tjetër janë shqetësime të mirëfillta. Dhe ky nuk është problem vetëm për investimet britanike, por për ato të huaja në përgjithësi. Gjenerimi i rritjes ekonomike duke u bazuar vetëm në investimet e brendshme nuk do të jetë i lehtë. Për ta arritur nivele realiste rritjeje duhet vendosur një regjim që i nxit investimet e huaja. Mënyra më e mirë për të tërhequr investimet e huaja janë kompanitë që janë tashmë këtu. Pra nëse ato hasin vështirësi me qeverinë, me ligjin kjo gjë ndikon për keq në investitorët e ardhshëm. është shumë e rëndësishme që bizneset që punojnë këtu të trajtohen në mënyrë të drejtë nga qeveria e gjykatat. Mbi të gjitha është e rëndësishme që të trajtohen në mënyrë të parashikueshme; mjedisi i paparashikueshëm është gjëja që investitorët pëlqejnë më pak dhe një nga problemet tuaja më të mëdha.
Mediat britanike kanë shkruar dje rreth një teme delikate siç është ajo e financimit të ISIS duke aluduar për përfshirje të Shqipërisë në këtë proces. Konkretisht Dayli Mirror kishte një një artikull mbi kanabisin e Lazaratit i cili shkon për financimin e xhihadistëve. Besoni ju se mafia shqiptare është përfshirë në rrjetin e xhihadistëve. Ka të dhëna për këtë?
Gazetarët që përgatitën artikullin e “Daily Mirror” nuk kanë kërkuar informacione nga ambasada jonë apo nga autoritete të tjera britanike. Nëse do të na kishin pyetur, do t’u kishim thënë se ne nuk dimë të ketë një lidhje ndërmjet trafikimit të narkotikëve dhe ekstremizmit fetar këtu në Shqipëri. Sigurisht, ne nuk kemi monopol mbi informacionin, por shumë prej të dhënave në artikull dukej se i referoheshin komentuesve maqedonas. Nuk jam i sigurt nëse këto burime kanë tagrin e duhur për të komentuar mbi këto çështje në Shqipëri në mënyrë të saktë. Jam në dijeni të reagimeve të Ministrit Tahiri dhe Drejtorit të Policisë Çako, të cilët i kanë përgënjeshtruar këto thënie dhe deklaratat e ngjashme në shtypin italian në mënyrë të vendosur. Shqipëria është një vend i vështirë dhe nuk është e lehtë për gazetarët të fluturojnë nga Londra dhe të kuptojnë gjithçka në dy ditë. Mendoj se kjo ka qenë ajo çka ndodhur në këtë rast.
Ka disa fusha në të cilat qeveria Shqiptare po bashkëpunon me qeverinë Britanike . Nga përvoja e deritanishme e këtij bashkëpunimi, mund të kemi mendimin tuaj se sa efeketive ju duket kjo qeveri në përpjekjet për të realizuar reformat për të cilat u votua më 23 qershor. Sa besoni ju se Edi Rama është një kryeministër reformator?
Mendoj se qeveria ka një mandat të fortë reformash. Programi zgjedhor i qeverisë ishte më së shumti një program reformash, jo më kot i quajtur “Rilindje”. është e qartë që publiku pret nga qeveria të ndërmarrë reforma. Është gjithashtu e qartë se ka patur reforma të mirëfillta në një sërë fushash të rëndësishme për shembull reforma në arsimin e lartë, ajo e qeverisjes vendore, aksioni kundër informalitetit. Unë i shoh këto si reforma autentike dhe jo kozmetike. Sigurisht shumë mbetet ende për t’u bërë dhe ka një numër sfidash me të cilat qeveria përballet në shumë fusha, ndër to më e madhja reforma në drejtësi. Padyshim, çdo qeveri duhet të veprojë brenda kufijve të saj- një qeveri mund të ndërmarrë vetëm një numër të caktuar nismash ligjore apo buxheti veçanërisht në një vend si Shqipëria. Por sigurisht, nuk mund të mohoj qëllimin për të kryer reforma dhe mendoj se janë kryer reforma autentike.
Si e vlerësoni ju aktivitetin e opozitës të drejtuar nga z.Lulzim Basha dhe çfar ka ndryshuar sipas jush bnë drejtimine kësaj partie me ndryshimine liderëve?
Ne duhet të kuptojmë që nuk është e lehtë të jesh në opozitë, veçanërisht pas një humbjeje si ajo e vitit 2013. Të drejtosh një parti opozitare është një punë frustruese dhe e vështirë, duhet kohë për të reaguar, për të nxjerrë mësime e rimarrë veten nga një humbje zgjedhore. Çdo vend, çdo demokraci funksionale ka nevojë për një opozitë. Tre funksionet kryesore të opozitës janë, së pari të kritikojë gabimet e qeverisë. Çdo qeveri bën gabime dhe është detyra e opozitës ta kritikojë. Së dyti, një opozitë duhet të ofrojë politika alternative dhe së fundmi, të jetë e gatshme të ofrojnë një qeveri tjetër, kur të vijë koha e zgjedhjeve. Unë mendoj se zoti Basha ka qenë shumë energjik në kritikat ndaj qeverisë. Ai ka marrë mësime të rënda nga zgjedhjet parlamentare të 2013 dhe ato lokale të 2015. Duhet parë nëse në 18 muajt në vazhdim do të mund të ofrojë një paketë politikash alternative tërheqëse për publikun. Përtej kësaj, duhet parë nëse ai do ta paraqesë PD-në dhe aleatët e saj si një qeverisje alternative. Kjo besoj se është sfida me të cilën ai përballet dhe çka është interesante në arenën politike shqiptare gjatë muajve në vazhdim.
Kanë kaluar 25 vite dhe politika shqiptare vazhdon të jetë e njëjta, agresive, konfliktuale, larg bashkëpunimit në funsksion të interesave të vendit. A keni një mesazh për klasën politike shqiptare zoti Ambasador?
Së pari, do të thoja që konflikti politik nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe; po të keni ndjekur politikën britanike do të keni vënë re se ka më shumë konfrontim. Së dyti, në politikën shqiptare shpeshherë ka më shumë konsensus nga sa njerëzit mendojnë. Për shembull nëse konsideroni qëndrimet e klasës politike shqiptare në lidhje me anëtarësimin në BE, në lidhje me NATO-n apo me rolin e Shqipërisë në rajon ka një konsensus të gjerë nëpër të gjithë spektrin politik. Ndonëse për të nuk flitet shpesh, konsensusi ekziston dhe kjo përbën një aspekt pozitiv të politikës shqiptare krahasur disa vende të tjera në rajon.
Nuk është detyra ime t’i jap mësime klasës politike, por do të bëja dy sugjerime. Së pari, akuzat dhe deklaratat për korrupsion dhe krime bëhen shumë lehtë në këtë vend. Nëse një politikan realisht mendon se njëri nga rivalët e tij është i korruptuar, sigurisht që ai ka të drejtë të ngrejë zërin për këtë gjë. Por mendoj se përdorimi rutinë e i përditshëm i akuzave për përfshirje në aktivitete kriminale, i degradon standardet politike dhe nivelin e retorikës politike. Kjo gjithashtu shkakton zhgënjimin e publikut me demokracinë parlamentare, çka nuk është në interesin e askujt. Pra, ndoshta njerëzit duhet të tregohen disi më të kujdesshëm në përdorimin e kësaj retorike. Së dyti, në shumë vende disa çështje për të cilat kërkohet një konsensus i mirëfilltë ndërpartiak, janë larg debateve politike. Këto çështje kanë të bëjnë kryesisht me forcat e armatosura, sigurinë kombëtare ose në vendet para aderimit rreth anëtarësimit në BE. Mendoj se ndonjëherë në Shqipëri, debati rreth këtyre çështjeve ka qenë i padobishëm për vendin në tërësi. Mendoj se politikanët duhet të përpiqen të identifikojnë disa cështjesh të tilla, që nuk janë subjekt i diskutimeve politike partiake, rreth të cilave të mund të bashkohen për hir të interesit të përgjithshëm të publikut. Për shembull hapja e bisedimeve për anëtarësimin në BE është një çështje e tillë dhe them se të gjitha partitë duhet të kërkojnë konsensus në lidhje me të. Për hir të interesit kombëtar mendoj se duhen lënë mënjanë kritikat apo përpjekjet për të fituar kredi politike nga këto çështje.